Qëndrimi i Justina Shiroka-Pulës ndaj Speciales, para zgjedhjes së saj presidente e Kosovës

Pak ditë përpara se të merrte postin e Presidentes së Kosovës, Justina Shiroka-Pula kishte kritikuar publikisht Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë dhe mënyrën e trajtimit të çështjes së ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Të lidhura

None found

Asokohe në krye të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Shiroka-Pula deklaronte se vendimi për katër ish-drejtuesit e UÇK-së kërkonte një shqyrtim më të gjerë. Sipas saj, duhej analizuar jo vetëm verdikti, por edhe “natyra, mandati dhe mënyra e funksionimit” të Dhomave të Specializuara.

Ajo shprehte “rezerva të thella” për mënyrën e krijimit dhe perceptimit të kësaj gjykate, duke nënvizuar se drejtësia mund të jetë e besueshme vetëm kur shihet si e barabartë, gjithëpërfshirëse dhe e paanshme.

Shkrimi i plotë:

Vendimi i fundit për katër ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e bën të domosdoshëm reflektimin jo vetëm mbi përfundimin e gjykatës, por edhe mbi natyrën e Dhomave të Specializuara, mandatin e tyre dhe mënyrën se si ato funksionojnë.

Kritika jonë ndaj kësaj gjykate lidhet me bindjen se drejtësia, në mënyrë që të fitojë besueshmëri dhe të jetë e qëndrueshme, duhet të konsiderohet e barabartë, gjithëpërfshirëse dhe e paanshme. Çdo institucion që merret me periudha historike të ndjeshme duhet të tregojë kujdes të veçantë, në mënyrë që të mos krijojë përshtypjen e një drejtësie selektive ose të një trajtimi të pabarabartë të viktimave dhe përgjegjësive.

Respektimi i ligjit dhe i procedurave gjyqësore nuk e mohon të drejtën për të kritikuar institucionet. Në një shoqëri demokratike, përkundrazi, besueshmëria e institucioneve të drejtësisë rritet përmes transparencës, llogaridhënies dhe një debati publik të mbështetur në argumente.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës përbën një pjesë të rëndësishme të historisë së vendit tonë. Gjykimet penale ndaj individëve nuk duhet të kthehen në një gjykim të përgjithshëm ndaj një lëvizjeje, një periudhe historike apo aspiratës së një populli për liri.

Duke respektuar të drejtën e çdo personi për një proces të rregullt dhe përdorimin e të gjitha mjeteve juridike në dispozicion, shprehim rezervat tona të thella lidhur me mënyrën e konceptimit dhe perceptimit të kësaj gjykate, si dhe me ndikimin që ajo mund të ketë mbi kujtesën historike, besimin e publikut dhe ndjenjën e drejtësisë.

Institucioni që drejtoj mbetet në çdo kohë i gatshëm të kontribuojë në proceset e hulumtimit, kërkimit dhe interpretimit të të dhënave e fakteve që lidhen me luftën në Kosovë.


Shtuar më 8.10.2026 22:06