Arrestimi i Vangjush Dakos, VOA: Prokuroria ka dyshime për nxjerrje të sekretit hetimor

Në Shqipëri, dokumentat e Prokurorisë së Posaçme dëshmojnë se çështja e pallatit për të cilin ish kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako dhe shumë zyrtarë e ish zyrtarë të kësaj Bashkie u arrestuan ose janë ende në kërkim, është e mbushur me parregullsi të panumërta. Thuajse pjesa dërrmuese e procedurave që ndiqen që në fazën e ndërtimit, janë përmbyllur pasi ndërtimi kishte përfunduar dhe pallati ishte banuar. Edhe për rastin e tenderit, rezulton se pavarësisht se ishte njoftuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, se përllogaritja e vlerës ishte gati 10-fish më e lartë, sërish Bashkia e Durrësit, bëri të gjitha pagesat ndaj kompanisë fituese. Nga 7 personat për të cilët kërkohet arresti me burg, vetëm dy janë në duart e autoriteteve. Prokuroria e posaçme nis hetimet per nxjerrje të sekretit.

Shkeljet e shumta dhe plotësimi i procedurave pasi vetë pallati ishte ndërtuar, kanë bërë që sipas Prokurorisë së Posaçme, ajo që ka ndodhur në Durrës, të konsiderohet se ngjan më shumë me një proces legalizimi, se sa të zbatimit të një lejeje ndërtimi.

Gjithshka nisi, pasi administratori i kompanisë ndërtuese, Fiqiri Farrukun, ndër personat në kërkimpër t’u arrestuar, pak muaj pasi kishte marrë lejen e ndërtimit, paraqiti, një kërkesë të dytë, për një shtesë prej disa katesh, e cila miratohet, por zbardhet vetëm në 2014-ën, pas 3 vjetësh, periudhë gjatë së cilës akti nuk mund të kishte asnjë fuqi juridike. Në momentin që ky vendim është zbardhur, pallati jo vetëm ishte ndërtuar, së bashku me katet shtesë, por dhe ishte mbushur me banorë.

Pas këtij momenti, ka nisur, sipas prokurorisë dhe plotësimi i akteve dhe procedurave të tjera, të cilat “në fakt duhet të ishin nënshkruar para fillimit të ndërtimit dhe gjatë zbatimit të punimeve, duke bërë që në të gjitha këto akte të mos pasqyrohej e vërteta”.

Për më tepër, sipas Prokurorisë së posaçme, “pavarësisht se pallati nuk është ndërtuar as sipas projektit të miratuar me lejen e dytë, pasi ka patur mangësi në zbatimin e punimeve, nga kolaudatori është përpiluar akti i kolaudimit, në të cilit pasyrohej se pallati është ndërtuar sipas projektit, kur në fakt nuk ka rezultuar dicka e tillë”.

Për rastin e dytë, atë të një tenderi për projektimin e një ndërhyrjeje publike, Bashkia e Durrësit rezulton të ketë llogaritur vlerën e fondit limit, prej 21 milionë lekësh të reja, 10 herë më të lartë seç përcaktohet në një vendim të qeverisë. Një vit pasi është shpallur fituesi, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka njoftuar bashkinë për këtë gabim, por sipas prokurorisë, jo vetëm nuk është ndërhyrë për të rekuperuar dëmin, por është vijuar dhe me pagesën e 40 përqindshit të mbetur të shumës.

Gjykata e posaçme miratoi dje kërkesën e Prokurorisë për 10 urdhëra arresti nga të cilët 3 në arrest shtëpie. Por nga ata që duhet të ishin me arrest me burg, vetëm ish kryebashkiaku Dako dhe një topograf, janë në duart e autoriteteve. Të gjithë të tjerët rezultojnë ende në kërkim. Vetë Prokuroria ka dyshime se është nxjerrë sekreti hetimor dhe sot njoftoi hapjen e një hetimi të veçantë për këtë rast. /VOA


Shtuar 7.06.2023 19:34

Tags: , ,