U vodhën celularët dy shtetaseve të huaja duke i kanosur me thikë, identifikohen dy adoleshentët

Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim një 18 vjeçar si dhe ka nisur hetimin për një shtetas të mitur.

Dyshohet se të dy janë autorë të vjedhjes së celularëve të dy shetaseve të huaja.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, identifikimin e autorëve dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, pas njoftimit të marrë për një vjedhje me dhunë, në rrugën “Islam Alla”, kanë organizuar menjëherë punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

“Falë veprimeve të shpejta profesionale u bë i mundur identifikimi i 2 autorëve të dyshuar, procedimi në gjendje të lirë i njërit prej tyre, shtetas 16 vjeç, banues në Tiranë, dhe shpallja në kërkim e tjetrit, shtetasit E. L., 18 vjeç”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, mbrëmjen e djeshme, i kanë marrë celularët dy shtetaseve të huaja, duke i kanosur me mjet prerës (thikë), dhe më pas janë larguar me automjet.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 aparate celulare dhe 1 automjet.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 22.05.2023 11:49