Prestigjiozja sportive spanjolle “Marca” i ka dedikuar një shkrim të gjatë Myrto Uzunit, sulmuesit shqiptar që luan me Granada. Shembulli që transmeton beratasi i kombëtares kuqezi është filli që ngërthen rrëfimin në fjalë, si për të thënë se futbolli të nxjerr nga mizerja e jetës, por kërkon këmbëngulje dhe pasion të palëkundur.
Trajektorja e 27-vjeçarit, nga baltovinat e fushave të Beratit, pastaj emigrant i paligjshëm në Greqi, transferimi i parë i karrierës për vetëm 2 mijë euro, ngjitja në lartësi në reja në rang klubesh….; deri te kalimi në Spanjë dhe aktivizmi me kombëtaren shqiptare. Myrto Uzuni është një shembull suksesi për t’u ndjekur jo vetëm nga shqiptarët në futboll, por edhe më tej. Një qëllim të tillë ka edhe shkrimi i plotë i “Marca”:
“Askush i arsyeshëm nuk do të kishte vënë bast për Myrto Uzunin (Berat, 1995) në komandën e startit. Futbollisti shqiptar ka lindur në një familje modeste, që po luftonte për të ecur përpara në një vend të zhytur në kaos dhe, si shumë histori të tjera, edhe e tija mund të kishte humbur në turmë.
Megjithatë, fati i kishte rezervuar një rrugë tjetër, të shtruar me këmbëngulje, sakrificë e besim të palëkundur: “Udhëtimi im filloi me babain. Që në fillim ai gjithmonë donte që të bëhesha futbollist, të mësoja anglisht, sepse kjo gjuhë do të më ndihmonte në jetë. Ishte trajneri im i parë, më mbështeti qysh ditën e parë”, – kujton futbollisti i kombëtares shqiptare në një rrëfim ekskluziv për prestigjiozen sportive spanjolle “Marca”.
Kur Uzuni, sot 27 vjeç, ishte mezi 10 vjeç dhe u përball me një situatë të paqëndrueshme, familja e tij vendosi të paketonte të gjitha gjërat në disa valixhe dhe ta linte jetën pas në Berat për të ndërmarrë udhëtimin klandestin drejt një të ardhmeje më shpresëdhënëse: “Shqipëria nuk është në Bashkimin Evropian dhe na u desh të ecnim tri ditë në këmbë. Nuk kishim para, duhej të paguanim 15 mijë euro për të mbërritur në Greqi, çka është shumë në atë vend, pasi fiton 300 ose 400 euro në muaj. Daja ime na dha hua. Shkuam në Greqi në kërkim të një jete më të mirë”.
Një eksperiencë kalitjeje për Myrton: “Këtu qëndron forca ime. Kjo më bën të vlerësoj ku jam sot, nuk harroj nga kam ardhur. Familja ime nuk kishte asgjë, ishte një jetë e vështirë”.
Megjithëse futbolli vazhdoi t’i mbushte ëndrrat e tij, realiteti, i ashpër dhe i pashmangshëm, e mbajti atë larg topit në Greqi, duke larë enët për të ndihmuar nënën e tij: “Të luaja futboll ishte e komplikuar, ne kishim mundësinë të punonim vetëm për të mbajtur familjen. Ishim në të zezë, pa kontratë pune, sepse nuk kishim letra. Kam provuar shumë punë”, – kujton sulmuesi i Granada.
Pavarësisht ditëve të punës maratonë, Uzuni vazhdoi të luante pa u lodhur dhe shumë shpejt futbolli u shfaq si një rrugë shpëtimi: “Kam gjetur forcë në familjen time, sakrifikuam shumë për të qëndruar bashkë. E dija që e vetmja zgjidhje për të dalë nga kjo situatë ishte futbolli”. Një këmbëngulje që përfundoi me rezultat kur, rreth vitit 2010, Olympiacos u interesua për të. Qëllimi dukej i arritshëm, por mungesa e vizës e ndërpreu operacionin dhe ëndrra, edhe një herë, avulloi si mirazh.
Me pak opsione në tavolinë, Uzuni dhe familja e tij u kthyen në Shqipëri, përsëri në vendlindje: “Nuk kishim shtëpi, ishim pa para. Nuk kishim asgjë, jetonim në një situatë të vështirë”. Megjithatë, asnjë pengesë nuk do ta devijonte Uzunin nga qëllimi i tij, që u zbulua pothuajse si një shfaqje hyjnore: “Një ditë vrapoja në gjashtë të mëngjesit, ishte shumë ftohtë dhe hunda më ishte skuqur. Ngrita sytë dhe thashë me vete: Një ditë do të bëhem shumë i madh. Gjithmonë kisha besim te vetja, njësoj”.
Në moshën 18-vjeçare dhe me një vendosmëri të palëkundur, Uzuni po i digjte etapat e futbollit. Filloi të shquhej në filialin e Tomorit të Beratit, në skuadrën e vendlindjes së tij, dhe pasi shënoi 27 gola, shumë shpejt bëri kapërcimin drejt ekipit të parë, nga ku firmosi për 2000 euro për FK Apolonia. “Dy mijë euro nuk janë asgjë”, – kujton ai me një buzëqeshje.
Në qendër të vëmendjes, ai nënshkroi një kontratë të re me FK Laci për 20 mijë euro, ku bëri histori duke arritur në kualifikueset e “Europa League”. Lokomotiva e Zagrebit ishte klubi i radhës që trokiti në derën e tij, një vend i ri, një gjuhë e re, por asnjë sfidë, sado e vështirë të ishte, tashmë nuk e frikësonte Uzunin: “Ishte një trampolinë për lojtarët e rinj. Atje stërviteshim shumë. E kishte të qartë se çfarë doja në jetë, asgjë nuk do të më largonte nga rruga ime. Gjithmonë e kisha të qartë atë që doja. Kam punuar shumë për t’u bërë ky që jam sot”.
Me figura të spikatura në Kroaci, ngritja e Uzunit ishte e pandalshme dhe Ferencvaros “vuri bast” mbi të, duke hapur dyert e kontinentit të vjetër, duke arritur nivelin tjetër, duke i mundësuar të luajë në Champions League, ku takoi Cristiano Ronaldon, idhullin e tij të madh: “Ronaldo është shembull për mua. Të gjithë e dinë sakrificën që ka bërë për t’u bërë ky që është, mentaliteti fitues është gjëja më e rëndësishme”.
Në atë ndeshje kundër Juventusit, sulmuesi beratas shënoi në portën e bardhezinjve dhe festoi duke imituar yllin portugez, në një gjest admirimi: “Unë e kam parë gjithmonë në televizor, ishte e pabesueshme për mua të luaja kundër Ronaldos. Unë shënova gol ndaj tij, ishte një ëndërr e realizuar”.
Uzuni bashkon jokonformitetin dhe ambicien, virtyte që e shtynë të ndiqte lartësi të reja dhe të luajë në La Liga, në të njëjtin kompeticion që kishin bërë emër të madh Messi dhe Ronaldo. La Liga ishte maja e re për t’u ngjitur për shqiptarin. Mundësia, pasi mbërritja e tij në Mallorca ishte e frustruar, zgjati pak më shumë se sa pritej, por Granada u shfaq dhe nuk hezitoi: “U ndjeva shumë i lumtur dhe krenar, gjithë puna që kisha bërë ndër vite, sakrifica e madhe, më në fund u shpërblyen. U transferova aty ku e meritoja”.
Një mundësi nga ana e ekipit “rojiblanco”, që e ka lejuar të bëhet idhull i “Los Cármenes”, ku shpreson të jetë për shumë vite: “Granada hapi dyert e La Liga-s për mua, e bëri ëndrrën time realitet. Sigurisht që e vlerësoj mbështetjen dhe ndihmën, nuk i harroj kurrë ata që më kanë ndihmuar më parë”.
Me katër gjuhë në “hard diskun” e tij dhe një çantë shpine plot eksperienca, Uzuni u përshtat shpejt me këtë mjedis të ri: “Të jem i sinqertë, futbolli nuk ka nevojë për shumë përshtatje, flitet gjuha e lojës. Gjëja më e rëndësishme është të ndihesh si në shtëpinë tënde me shokët e skuadrës. Gjithashtu, pasi mësova katër gjuhë, spanjishtja nuk ishte e vështirë”.
Këtë sezon, Uzuni ka shpërthyer, duke udhëhequr Granadën si golashënuesi më i mirë në kategori, diçka me të cilën sulmuesi përballet natyrshëm: “Nuk ka asnjë sekret, mjafton ta kalosh kohën tënde duke punuar shumë. Dhe unë punoj shumë. Të gjithë e dinë se sa shumë e dua futbollin. Jetoj për futbollin, nuk është sekret. Në çdo skuadër që shkoj, bëj histori, bëj diferencën, edhe këtu te Granada. Asnjëherë nuk jam i kënaqur, dua gjithmonë më shumë”.
Paraqitja e jashtëzakonshme e Uzunit ka zgjuar interesimin e një klubi tjetër, i cili e ka vendosur shqiptarin në radarin e tij, diçka që nuk e ndryshon: “Sot janë shumë pak lojtarë të aftë për të shënuar, Osimhen, Haaland… Dhe kur dikush shënon shumë gola zgjon interesin e skuadrave të tjera. E di që nëse vazhdoj të shënoj gola do ta telefonojnë Granadën, por shqetësohem vetëm për të tashmen, përqendrohem 100% tek ekipi dhe objektivat e tij”.
“Futbolli ishte zgjidhja që mund të më rregullonte jetën, nuk kishte asgjë tjetër. Ëndrra ime ishte të bëhesha futbollist, të luaja për kombëtaren shqiptare dhe të arrija një nga ligat më të rëndësishme. E vetmja gjë që mund të them është se asgjë nuk është e pamundur, duhet të besosh në veten tënde dhe prandaj jam këtu. Futbolli është jeta ime, jetoj për futbollin”; – ky qëndrim e bën Uzunin një konkurrent të pangopur, që mund ta rikthejë Granadën në krye. Edhe dy hapa i kanë mbetur. Sot e para në “Miranda de Ebro”…