“Dilni votoni”, Berisha thirrje qytetarëve: Opozita do të mbrojë votën tuaj

Ish-kryeministri Sali Berisha në një deklaratë për mediet i është drejtuar qytetarëve dhe i ka ftuar të dalin në votime.

Duke falenderuar të gjithë pjesëmarrësit në votime deri në drekë, Berisha theksoi se dalja në votime është një detyrë e shërbim i jashtëzakonshëm që bëhet ndaj vendit.

Në fund ai theksoi se opozita po mbikëqyr procesin nga afër dhe me sukses të plotë.

Deklarata e plote: 

Jam sot para jush për të falënderuar përzemërsisht të gjithë ata qytetarë shqiptarë të cilët kanë ardhur nga dhjetëra e dhjetëra vende, të kontinenteve të ndryshme për të firmosur sot me votën e tyre ndryshimin.
Mirënjohja ndaj tyre është e pakufishme. Së dyti, unë dua të falënderoj përzemërsisht të gjithë ata qytetarë shqiptarë që nga ora 7 e mëngjesit e deri në këtë kohë, janë paraqitur dhe kanë hedhur votën e tyre në kutitë e votimit. Kanë kryer pra një detyrë kushtetuese jashtëzakonisht të rëndësishme për vendin, veten dhe familjen e tyre.

Së treti, u bëj thirrje të gjithë qytetarëve që ende nuk kanë votuar të votojnë, të paraqiten në orët në vazhdim pranë qendrave të tyre dhe të votojnë si një shërbim i jashtëzakonshëm që i bëjnë vendit, vetes dhe familjes së tyre.
Së fundi, garantoj qytetarët se opozita po mbikëqyr me sukses të plotë këtë proces. Ajo sot është më e fuqishme se kurrë. Vota e tyre ka mbrojtjen absolute të opozitës shqiptare. Çdo lloj përpjekje që po bën narkoadministrata, narkoshteti është e destinuar të dështojë, të dështojë dhe vetëm të dështojë. Qytetarëve u them gjithashtu, policia ka marrë pushim sot, por pavarësisht nga kjo, ju votoni si njerëz të lirë. Opozita do të mbrojë dhe po mbikëqyr çdo votë tuajën./Albeu.com.


Shtuar 14.05.2023 14:26