“Do vuani të zitë e ullirit”, Rama i ashpër me sipërmarrësit në Korçë: Do ju bëjmë leckë në sy të popullit po nuk i dhatë punëtorit pagën sipas ligjit

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me gratë në Korçë, ndërsa mesazhin kryesor e ka patur për sipërmarrësit.

Rama u ka kërkuar sipërmarrësve të paguajnë punëtorët, përndryshe do të vuajnë të zitë e ullirit. Madje, kreu i qeverisë u shpreh se nëse nuk do të futen në kornizën e ligjit, pas zgjedhjeve do t’i bëj leckë në sy të popullit.

“Ne kemi vendosur pagën 40 mijë lekë dhe të gjitha ato vajzat dhe gratë që punojnë në ato industri me material porositësi pagën e re do ta kenë 40 mijë lekë. Me këtë rast kam një mesazh, sot e kam pa emër. Herës tjetër kur të vij në Korçë pas fushatës, nëse ky mesazhi im nuk do të dëgjohet do ta kenë me emra. Ata emra do vuajnë të zitë e ullirit. Bëhet fjalë për 2-3 individë që janë pronarë dhe sipërmarrës në industrinë me material porositësi dhe që nuk u japin atë që u takon grave që punojnë aty. Ne i dimë kush janë, ne e dimë çfarë bëjnë ata, dhe po i çoj një mesazh që të rregullojnë marrëdhëniet me gratë punëtore që kanë atje, 40 mijë lekshi jo vetëm që nuk duhet të diskutohet, por duhet të jepet në kohë, me bankë dhe duhet të jepet pa i shkuar më mendja atyre se mund ti shkojnë nga prapa duke it hënë mi jep mbrapsht cash sepse mua nuk më del. Bëjnë mirë të marrin avokatë nëse janë analfabet dhe nuk dine të lexojnë ligjin, ta lexojnë ligjin se çfarë pasojash kanë.

Nëse nuk do të futen në kornizën e ligjit do më kenë mua te dera e fabrikës, bashkë me ministren dhe inspektorët, jo për ligjin, por për ti bërë leckë në sytë e popullit shqiptar dhe pastaj t’ju rrojnë miliardat dhe milionat, t’ju rrojnë dhe shtëpitë e dyta dhe të treta sepse do ta kenë për turp të shikojnë fëmijët e tyre.

Ky mesazh vlen për të gjithë xhagajdurët që mendojnë se ekonomia shqiptare duhet të ketë forcë konkurruese krahun e lirë të punës. Ka marrë fund ajo kohë. Qeveria që unë drejtoj do të vendoset me të gjitha fuqitë në krah të punonjësve të këtij vendi. Sipërmarrësve ju them se jua kemi bërë të gjitha izmetin, jua njohim të gjitha kontributet, ju vemë në piedestal, por atyre sipërmarrësve që nuk do të kuptojnë që kemi hyrë në një luftë në Evrope për krahun e punës, për kapitalin njerëz dhe ata që s’do kuptojnë që ne nuk mund të lëmë njerëzit të ikin sepse ata nuk duan tu japin hakun, ne do ti godasim pa asgjë mëshirë, do ti bëjmë shembull do i vënë nëpër rrugë dhe tabela dhe do ti them turp turp turp”, tha Rama.


Shtuar 1.05.2023 20:50