Biden vendos sanksione ndaj FSB-së ruse dhe IRGC-së së Iranit për arrestimin e amerikanëve

Administrata Biden njoftoi të enjten sanksione të reja kundër Shërbimit Federal të Sigurisë Ruse (FSB) dhe krahut të inteligjencës të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) për rolet e tyre në arrestimin e padrejtë të amerikanëve jashtë vendit.

“Këta aktorë në Rusi dhe Iran janë përpjekur të përdorin amerikanët për leva politike ose për të kërkuar lëshime nga Shtetet e Bashkuara,” tha një nga dy zyrtarët e lartë të administratës që informuan gazetarët e Shtëpisë së Bardhë të enjten.

Përveç dy entiteteve, sanksione janë vënë mbi katër figura kyçe në Organizatën e Inteligjencës të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC-IO), kreut të saj Mohammad Kazemi, si dhe zëvendës shefave Mehdi Sayari dhe Hassan Mohagheghi dhe nënkryetarit Ruhollah Bazghandi.

“FSB-ja ka qenë vazhdimisht e përfshirë në arrestimin, hetimin dhe ndalimin e shtetasve amerikanë të ndaluar gabimisht në Rusi”, tha ai.

Zyrtari i administratës Biden shtoi se krahu i inteligjencës së Gardës Revolucionare Islamike të Iranit “mban dhe merr shpesh në pyetje të burgosurit, duke përfshirë të paktën një shtetas amerikan të ndaluar gabimisht në burgun Evin”, një objekt paraburgimi në Teheran që ka një “histori të gjatë dhe të neveritshëm të abuzimeve të të drejtave të njeriut duke përfshirë raportime të zgjeruara të torturës”.

Sanksionet janë të parat që u vendosën sipas një urdhri ekzekutiv që presidenti Joe Biden nënshkroi korrikun e kaluar. Më shumë sanksione pritet të shpallen.

Disa ekspertë janë skeptikë se këto sanksione do të funksionojnë për të lehtësuar lirimin e amerikanëve. Në të kaluarën, vetëm pranimi i shkëmbimeve de facto të të burgosurve nga Shtetet e Bashkuara, ose në rastin e Iranit, lirimi i pasurive të tyre të mbajtura do të ndryshonte politikat e tyre ndaj amerikanëve të ndaluar, tha Jacob Kirkegaard, bashkëpunëtor i lartë në fondin gjerman Marshall.

“Sidoqoftë, në përgjithësi, unë nuk e konsideroj këtë si një politikë veçanërisht efektive, por më tepër një “politikë të mirë” për t’i treguar popullit amerikan, dhe jo më pak shtypit, se administrata po bën diçka për t’i kthyer qytetarët amerikanë në vend”, i tha ai Zërit të Amerikës.

Të paktën dy amerikanë janë ende të arrestuar në Rusi: gazetari i Wall Street Journal, Evan Gershkovich, i burgosur që nga marsi, dhe Paul Whelan, një ekzekutiv i sigurisë së korporatave, i burgosur që nga viti 2018. Të dy mbahen nën akuza për spiunazh për të cilat familjet e tyre dhe Departamenti i Shtetit i SHBA thonë se janë pa bazë.

Në fillim të këtij viti, Rusia liroi veteranin e marinës amerikane Taylor Dudley, i mbajtur që nga prilli në Kaliningrad.

Disa amerikanë u liruan gjithashtu vitin e kaluar në një shkëmbim të burgosurish, si ylli i basketbollit për femra Brittney Griner.

Dhe shtetasit amerikanë Suedi Murekezi, Alexander John-Robert Drueke dhe Andy Tai Ngoc Huynh ishin në mesin e dhjetëra individëve të liruar në një shkëmbim të burgosurish midis Ukrainës dhe Rusisë në 2022./voa


Shtuar 28.04.2023 08:52