Lufta për pushtet në Sudan: Evakuohen diplomatët dhe shtetasit e huaj

Shumë vende kanë evakuuar diplomatët dhe qytetarët nga kryeqyteti i Sudanit ndërsa luftimet e ashpra vazhdojnë të zhvillohen në Khartoum.

SHBA dhe Britania e Madhe njoftuan të dielën se kishin larguar diplomatët jashtë vendit.

Franca, Gjermania, Italia dhe Spanja janë ndër vendet e tjera që gjithashtu kryen evakuime.

Një luftë e egër për pushtet midis ushtrisë së rregullt dhe një force të fuqishme paraushtarake ka çuar në dhunë në të gjithë vendin.

Autoritetet amerikane thanë se kishin transportuar më pak se 100 persona me tre helikopterë Chinook të dielën në mëngjes në një operacion “të shpejtë dhe të pastër”.

Ambasada e SHBA në Khartoum tani është e mbyllur dhe një postim në Twitter në burimin e saj zyrtar thotë se nuk është mjaft e sigurt që qeveria të evakuojë qytetarët amerikanë.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar arriti të largonte diplomatët britanikë dhe familjet e tyre jashtë vendit në atë që u përshkrua si një operacion “kompleks dhe i shpejtë”. Ministri i Jashtëm James Cleverly tha se opsionet për të evakuuar shtetasit e mbetur britanikë në Sudan ishin “shumë të kufizuara”.

Disa vende të tjera po kryenin operacione evakuimi të dielën:

-Presidenti francez Emmanuel Macron konfirmoi se një aeroplan kishte mbërritur në Xhibuti me shtetas francezë dhe të tjerë të dielën.

-Një pjesë e vogël e qytetarëve holandezë u larguan nga Khartoum me aeroplanin francez dhe Holanda shpresonte të transportonte më shumë qytetarë jashtë të dielën në mbrëmje.

-Ushtria gjermane tha se i pari nga tre avionët ishte nisur nga Sudani, me destinacion Jordaninë, me 101 persona në bord.

-Italia dhe Spanja kanë evakuuar qytetarët – misioni spanjoll përfshinte shtetas nga Argjentina, Kolumbia, Irlanda, Portugalia, Polonia, Meksika, Venezuela dhe Sudani

-Kryeministri kanadez Justin Trudeau tha se qeveria e tij kishte evakuuar stafin diplomatik

Vende të tjera evakuuan me sukses njerëzit të shtunën. Më shumë se 150 persona, kryesisht qytetarë të vendeve të Gjirit, si dhe Egjiptit, Pakistanit dhe Kanadasë u evakuuan nga deti në portin e Arabisë Saudite të Jeddah.

Ka pasur thirrje të dëshpëruara për ndihmë nga shumë studentë të huaj, nga Afrika, Azia dhe Lindja e Mesme,  të cilët janë gjithashtu të bllokuar në Khartoum, një qytet me rreth gjashtë milionë banorë.

Ndërkohë, ka raporte se lidhja e internetit ka rënë pothuajse totalisht në Sudan, gjë që mund të pengojë seriozisht koordinimin e ndihmës për të bllokuarit në Khartoum dhe qytete të tjera.

Lufta për pushtet ka parë bombardime të rënda në kryeqytet, me qindra të vrarë dhe mijëra të tjerë të plagosur./albeu.com


Shtuar 24.04.2023 07:53