11 vite më parë konsiderohej si e ardhmja e futbollit, ja çfarë pune bën sot ish-futbollisti i Realit

Vështirë të kujtohet një yll futbolli që premtoi kaq shumë, dhe në fund u “zhduk”, si Royston Drenthe. Sot holandezi është larg elitës botërore të futbollit.

Kur mbërriti te Real Madrid nga Feyenoord në 2007, Royston Drenthe ishte një prej lojtarëve më premtues në botë. Megjithatë, ai luajti vetëm 46 ndeshje te Real dhe filloi një trajektore në rënie.

Duke kaluar te Everton, Hercules, Reading dhe disa skuadra të tjera angleze dhe evropiane, hap pas hapi, ai u zhduk nga harta e madhe e futbollit, për t’u rikthyer sot në fokusin e publikut.

Ai është vetëm 35 vjeç dhe nëse do të kishte vazhduar me aktivitetin futbollistik, ne do ta shihnim ende në ekranet e vogla. Mirëpo, sot në mediat holandeze është bërë e ditur se ai ka nisur punën në shëndetësi.

“E gjithë familja ime ishte në kujdesin shëndetësor. Tezja Helen është infermiere, nëna ime kujdestare dhe para disa vitesh mendova: “Pse të mos ndjek edhe unë këtë rrugë dhe të shoh se si ia dal atje?”, tha ish-futbollisti holandez.

Nuk ishin vetëm ide dhe kurse. Kohët e fundit Drenthe është punësuar në departamentin e personave me demencë dhe tha se puna në shëndetësi e bën atë një person më të mirë.

“Unë shoh një anë krejtësisht të ndryshme të botës. Puna më ndihmon të bëhem një person më i mirë në këtë shoqëri. Unë jam mësuar gjithmonë me magjepsjen e futbollit, por kjo më pasuroi si person. Kjo është ajo që kërkoja. Kam luftuar shumë në fund të karrierës sime futbollistike. Fakti që ti e di se çfarë dëshiron të bësh, por në momentin që fillon ta bësh, pyet veten nëse është me të vërtetë ajo që të pëlqen”, shtoi holandezi.

Drenthe nuk e ka braktisur plotësisht futbollin. Ai iu bashkua klubit amator holandez Kozakken Boys, ku stërvitet fort dhe rifiton formën e tij fizike. Në sezonin e ardhshëm ai do të luajë për këtë klub.


Shtuar 5.04.2023 19:00