Ndërkohë që PS, prezantoi emrat e kandidatëve për kryebashkiakë, ish-kryeministri Sali Berisha ka mbledhur Kryesinë e tij ku u diskutua në lidhje me emrat e këshilltarëve.
Në mbledhje, Berisha u bëri thirrje demokratëve të mos ndjekin Lulzim Bashën dhe Enkelejd Alibeajn.
Teksa i cilësoi si pengje të kryeministri Edi Rama, Berisha tha se ata mbahen nga lidhjet me krimin dhe janë të larguar nga PD.
“Po vjen afati i dorëzimit të listave të këshilltarëve. Fushata vijon me intensitet në të katër anët e vendit. Ekziston një optimizëm i madh. Kundërshtari ynë përdori gjatë fushatës edhe arrestime të kryebashkiakëve të vet që t’i disiplinojë. Kjo e jona kontraston si dita me natën me transparencën e frymën e bashkimit.
Demokratët të vendosur të mos mashtrohen e të vijojnë kontributin në PD, të mos ndjekim dy pengje të diskretituar të mbajtur peng me lidhje krimi nga Edi Rama.
Për lidhjet e tyre të krimit janë të larguar nga PD, nuk e kemi në Statut por është e kuptueshme. Kushdo që del jashtë standardeve e humbet automatikisht këtë të drejtë. Të dy, Basha me dosjen e mbyllur nga Rama, Alibeaj me probleme të thellë e serioze që nuk i ka deklaruar, po mbahen peng e keqpërdoren në mënyrë ekstreme nga Rama.
Rruga e vetme për të sjellë shpresën është ndryshimi. Mbledhja është thirrur për të formalizuar listat e dërguara nga degët për këshilltarë në 61 bashkitë e vendit. Kanë qenë gjithsej 5 mijë kandidatura.
Ka një kufizim në listat që do jenë të përbashkëta me Partinë e Lirisë. Në koalicion është bërë e qartë që është marrë për bazë mesatarja elektorale”, tha Berisha.
Ai ka zbuluar edhe numrin e kandidatëve për secilin anëtar të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për këshilltarët në zgjedhje:
Partia e Lirisë 240 pozicione
Partia PBDNJ 20 pozicion
PDK 6 pozicione
Pjesa tjetër i takon PD.