Ushqimi që e bën trurin të plaket më shpejt

Ushqimi që konsumojmë luan një rol kyç në zhvillimin e shumë sëmundjeve. Gjithnjë e më shumë kërkime tregojnë për këtë. Zakonet tona të të ngrënit me kalimin e kohës mund të përshpejtojnë humbjen e kujtesës dhe rënien njohëse, të cilat lidhen me plakjen e trurit.

“Ajo që hamë ndikon jo vetëm në trupin tonë, por edhe në trurin tonë”, thotë Dr. Uma Naidu, një psikiatër ushqyese, kuzhiniere e trajnuar dhe drejtoreshë e Departamentit të Psikiatrisë Ushqimore dhe Jetesore në Spitalin e Përgjithshëm të Massachusetts.

Një porcion me patate të skuqura nuk do të na “skuqë trurin”. Por konsumimi i rregullt i këtyre ushqimeve të pashëndetshme me kalimin e kohës mund të komprometojë trurin dhe kapacitetin tonë mendor, si dhe të rrisë gjasat për të zhvilluar çrregullime të tjera të lidhura me moshën, si sëmundjet e zemrës, diabeti i tipit 2 dhe kanceri. Përfundimet e shumë studimeve tregojnë se disa ushqime kanë një ndikim negativ në shëndetin tonë.

Shumë mish i kuq ndikon në tru

Një studim zbuloi se konsumimi i tepërt i mishit të kuq mund të rrisë nivelin e trimetilaminës N-oksid (TMAO), i cili rrit rrezikun e sulmit në zemër dhe goditjes në tru.

– Përveç kësaj, ndryshimet në bakteret e zorrëve mund të rrisin depozitat e amiloidit, duke kontribuar kështu në sëmundjen e Alzheimerit – thotë doktor Naidu.

Ushqimet me ëmbëlsues të lëngshëm të lirë janë të rrezikshëm për trurin

Shurupi i misrit me fruktozë të lartë është një ëmbëlsues i lëngshëm i lirë që prodhuesit e ushqimeve ua shtojnë ushqimeve të përpunuara për t’i bërë ato më të shijshme dhe për të na bërë të vazhdojmë t’i hamë. Studimet në brejtës tregojnë se konsumimi i dozave të larta të fruktozës mund të ndryshojë aftësinë e qelizave të trurit për të dërguar sinjale tek njëri-tjetri, duke shkaktuar humbje të kujtesës dhe çrregullime të të mësuarit.

Ushqimet e përpunuara janë fajtorë për rënien më të shpejtë të aftësisë njohëse

Një studim zbuloi se burrat dhe gratë që hanin ushqime më të përpunuara kishin 28 për qind rënie më të shpejtë të kujtesës, vëmendjes, aftësive vizuale/hapësinore dhe një rënie prej 25 për qind në funksionin ekzekutiv, krahasuar me njerëzit që hanin ushqime më pak të përpunuara. Ushqimet shumë të përpunuara përfshijnë ushqime të ngrira të parapaketuara, patate të skuqura dhe gjevrek, akullore, bukë të blerë në dyqan, biskota, përzierje ëmbëlsirash, drithëra, ushqime të paketuara, etj.


Shtuar 20.03.2023 17:29