Nga Ismet Fatih Čançar “Just Security”
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
Shëtitja e presidentit amerikan Joe Biden në sheshin e Manastirit të Shën Mikaelit, së bashku me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, në prag të një-vjetorit të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, i dërgoi Kremlinit një sinjal të fuqishëm.
Prania e Biden në atë aktivitet në një kohë që dëgjoheshin sirenat e sulmeve ajrore mbi Kiev, barti mesazhin që administrata e tij ka synuar të japë që nga shkurti i vitit 2022:që në luftën kundër agresionit rus, Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ta ndihmojnë Ukrainën të mbrojë demokracinë, sovranitetin dhe integritetin e saj territorial.
Megjithatë, ndërsa SHBA-ja ka bërë përpjekje historike për të siguruar që Ukraina të mund të mbrohet, politika e SHBA-së dhe e partnerëve të saj në Bashkimin Evropian, ka marrë një qasje shumë të ndryshme në Ballkanin Perëndimor. Një rajon tjetër i Evropës, të cilën NATO e ka identifikuar si një vatër të nxehtë të konfliktit të mundshëm me Rusinë.
Lufta në Ukrainë ofroi për Perëndimin një mundësi unike për t’i përshpejtuar integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike, një lëvizje që do ta mbronte përgjithmonë rajonin por edhe Evropën në tërësi nga konfliktet e ri-ndezura.
Por politika e SHBA-së dhe Bashkimit Evropian ndaj Ballkanit Perëndimor vitin e kaluar, sugjeron se Perëndimi ka hequr dorë nga transformimi politik i nevojshëm në këtë rajon. Përkundrazi, për të balancuar ndikimin e Rusinë në Ballkan dhe për të arritur të paktën një farë “stabiliteti”, Perëndimi është përqendruar në zbutjen e marrëdhënieve me autokratët e rajonit, dhe mbi të gjitha me ata që janë aktualisht afër Moskës, gjoja me synimin për t’i larguar ata nga orbita e Kremlinit.
Kjo qasje ka identifikuar kryesisht Serbinë dhe Kroacinë si “pesha të rënda”, me të cilat duhet mbajtur një marrëdhënie më tolerante për të siguruar paqen dhe sigurinë në Ballkan. Por kjo qasje vetëm sa e lehtëson realizimin e qëllimeve të tyre përfundimtare, bashkimin e të gjithë serbëve dhe kroatëve etnikë në Ballkanin Perëndimor brenda territoreve të veçanta përmes krijimit të Serbisë së Madhe dhe Kroacisë së Madhe, ide që kanë qenë konstante historike për Beogradin dhe Zagrebin.
Kjo është një rrugë e rrezikshme që synon të sigurojë hegjemoninë rajonale nëpërmjet rrëmbimit të territoreve të reja, duke e dobësuar sovranitetin institucional në vendet fqinje. Ndonëse Mali i Zi ka përjetuar një seri krizash të nxitura nga nacionalistët serbë dhe forcat pro-ruse, rreziqet e qasjes tolerante ndaj autokratëve janë më të mprehta në Bosnje Hercegovinë dhe Kosovë.
Kërcënimi për Bosnje dhe Hercegovinën u ilustrua sërish në fillim të këtij viti, kur autoritetet separatiste në entitetin e Republika Srpska (RS) organizuan një ceremoni festive për një ngjarje antikushtetuese që përkujtoi shpalljen nga serbët e Bosnjës të shtetit të tyre në fillim të luftës në vitin 1992, që deri në fund i mori jetën mbi 100.000 njerëzve.
Në atë ceremoni pati marshime paraushtarake nga banda radikale pro-ruse e motoçikletave “Night Wolves”, Putinit iu dha një medalje në mungesë, si dhe aktivitete që lavdërojnë gjenocidin ndaj boshnjakëve. Këto ngjarje të paligjshme, treguan edhe një herë vendosmërinë e liderit serb të Bosnjës Milorad Dodik për ta shkatërruar shtetin boshnjak por edhe mbështetjen që ai merr nga qeveritë e Serbisë dhe Rusisë.
Ajo festë u pasua në shkurt me një vizitë të presidentit të Asamblesë Kombëtare të RS në Dumën ruse. Ndërkaq në fillim të këtij muaji, Dodik ndërmori një hap të ri në përpjekjen e tij për të sekuestruar në mënyrë të paligjshme pronat shtetërore të Bosnjës në RS, në kundërshtim të hapur me një vendim të fundit nga Gjykata Kushtetuese e Bosnje Hercegovinës.
Dodik premtoi se nëse nuk dorëzohet prona, ai do të nisë shkëputjen zyrtare nga Bosnje dhe Herzegovina (BiH), një kërcënim që e ka bërë vazhdimisht. Ndërkohë komuniteti ndërkombëtar i ka marrë lehtë këto kërcënime dhe provokime. Christian Schmidt, Përfaqësuesi i Lartë për Bosnje Hercegovinën, një zyrë e krijuar nga Marrëveshja e Dejtonit
e vitit 1995 për të zbatuar marrëveshjen dhe për të siguruar respektimin e Kushtetutës së re, është fokusuar mbi ndryshimet e ligjit zgjedhor që ai prezantoi në tetor 2022.
Ky ligj i imponuar nga Schmidt çimentoi një sistem votimi që ia nënshtron të drejtat individuale të qytetarëve prioriteteve të tre grupeve kryesore etnike të vendit, në kundërshtim me një sërë vendimesh të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut që Bosnja është e detyruar të zbatojë në kuadër të procesit të anëtarësimit të vendit në BE.
Ndryshimet e Schmidtt vetëm sa e kanë thelluar ndarjen etnike, ndërsa kanë prodhuar një diskriminim më të fortë. Por Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja, edhe pse jo të gjitha shtetet e saj anëtare, e kanë mbështetur drejtpërdrejt lëvizjen e Schmidt, me argumentin se kjo do të nxiste stabilitetin dhe do zbuste tensionet etnike.
Në realitet, kjo lëvizje favorizon enkas partinë etnonacionaliste kroate, Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ BiH), presidenti i së cilës, Dragan Čović, ka mbrojtur më parë për ndryshime që u japin më shumë vlerë votave të kroatëve në zonat e dominuara nga ata. Për më tepër, kjo zgjidhje e imponuar u ideua në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me drejtuesit e HDZ në Kroacinë fqinje.
Forcimi i përfaqësuesve të Beogradit dhe Zagrebit në BiH përmes Dodik dhe Čović, do t’i japin Serbisë dhe Kroacisë më shumë kontroll mbi punët e brendshme të Bosnjës, duke e lënë Bosnje Hercegovinën në varësi të përhershme në marrëdhëniet me fqinjët e saj.
Edhe propozimi franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit ka një efekt të ngjashëm për Kosovën. Duke e detyruar kryeministrin e Kosovës Albin Kurti të pranojë formimin e Asociacionit të Komunave Serbe (ASM), në vend të një zgjidhjeje të drejtë të mosmarrëveshjes me Serbinë, Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja po e zhvendosin presionin ndërkombëtar nga Serbia tek Kosova.
Plani ASM nënkupton krijimin e zonave ekskluzive mono-etnike serbe në pjesë të veçanta të Kosovës. Ky lloj territorializimi i ekskluzivitetit etnik nuk përputhet plotësisht me frymën e Kushtetutës së Kosovës, prandaj zbatimi i tij vetëm sa do ta thellonte ndarjen etnike.
Efektet gjeopolitike dhe strategjike do të ishin katastrofike, duke krijuar në thelb një strukturë paralele në Kosovë, siç ekziston Republika Srpska në Bosnje, me fuqitë e veta ekzekutive, duke u shndërruar në një levë institucionale për destabilizimin e përjetshëm të Kosovës.
Po ashtu, ajo do të shkatërronte një pjesë të sovranitetit të Kosovës, dhe do të dorëzonte de facto pjesë të territorit të saj në kontrollin e Beogradit nën ombrellën e “Serbisë së Madhe”. Për më tepër, do të lehtësonte ndërhyrjen e vazhdueshme të Serbisë në punët e brendshme të Kosovës, sërish me mbështetjen e Rusisë. Për t’i shmangur këto zhvillime, Shtetet e Bashkuara dhe BE duhet të rishqyrtojnë pozicionin e tyre duke mos toleruar autokratët rajonalë që shërbejnë si përfaqësues të Moskës.
Ato duhet të kenë një politikë më të ashpër të izolimit të këtyre aktorëve, dhe t’i sigurojnë Bosnje Hercegovinës dhe Kosovës mjetet e nevojshme – institucionale, politike, diplomatike, ekonomike dhe ushtarake – për të shmangur rreshtimin e tyre me Moskën. Perëndimi e ka mbështetur me të drejtë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Ai duhet t’i përmbahet të njëjtit standard edhe në Ballkanin Perëndimor.