“Më shkarkoni, të bie edhe unë rehat”/ Anuela Ristani ‘sfidon’ PS në mbledhjen me dyer të mbyllura të Këshillit Bashkiak

Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, është përplasur ashpër me këshilltarët e mazhorancës gjatë mbledhjes së fundit me dyer të mbyllura të Këshillit Bashkiak, duke sfiduar hapur edhe përfaqësuesit e Partisë Socialiste.

Në kulmin e debateve për problematikat e pastrimit të qytetit dhe kërkesat për më shumë llogaridhënie nga drejtuesit vendorë, Ristani ka shpërthyer me deklarata të forta ndaj këshilltarëve të saj politikë.

Të lidhura

None found

“Me shkarkoni, të bie dhe unë rehat”, mësohet të ketë deklaruar ajo gjatë diskutimeve, në një moment tensioni të lartë në sallë. Përplasjet më të forta kanë qenë me këshilltarin Halit Valteri nga PS dhe Krenar Canollarin nga PSD, të cilët kërkuan më shumë përgjegjësi për situatën e pastrimit dhe menaxhimin e qytetit.

Sipas burimeve nga mbledhja, debati degradoi në tone ironike, ku Ristani jo vetëm kundërshtoi akuzat, por nisi edhe të ironizonte dhe të qeshte gjatë diskutimeve, gjë që solli reagime të forta nga disa këshilltarë të pranishëm.

Mbledhja u karakterizua nga tensione të vazhdueshme dhe akuza reciproke, ndërsa çështja e pastrimit të Tiranës mbetet një nga temat më të diskutuara dhe më problematike për administratën vendore në javët e fundit.


Shtuar 12.05.2026 21:06