Alarmet për bomba në shkolla në Maqedoninë e Veriut, prindërit paralajmërojnë protesta

Një protokoll i fshehtë i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe një protokoll tashmë i njohur nga Ministria e Arsimit janë masat e reja se si duhet vepruar shkollat në rast se ballafaqohen me alarme për bomba. Protokolli i MASH-it mes të tjerash nuk lejon prindërit të futen në shkollë pa paralajmërim paraprak ndërkohë prindërit për këto alarme të informohen përmes telefonit. Nga lëvizja “Libra dhe mësim patjetër të ketë” kanë dorëzuar letër në Ministrinë e Arsimit duke i dhënë afat 15 ditë për zgjidhjen e problemit në të kundërtën do të ketë protesta.

“Nëse nuk zgjidhen këto paralajmërime në afat prej 15 ditësh, prindërit janë aq shumë të revoltuar dhe do të dalim në protestë dhe do ti shprehim të gjitha pakënaqësitë qe kemi ndaj MASH. kemi komunikim me të gjitha shkollat dhe e dimë kur ka njoftime për bombë. Durimit tonë i erdhi fundi, kjo nuk përballohet më. Kemi tre gjenerata të dështuara për shkak të ideve pa zgjidhje të MASH”, tha Dragana Spasevska, “Libra dhe mësim patjetër të ketë”.

Kreu i opozitës Hristijan Mickoski tha se Qeveria u dëshmua se është e paaftë në këtë rast. Madje, ai akuzoi MPB-në se po detyron drejtuesit e shkollave të injorojnë njoftimet për bomba.

“Ata janë vizituar nga anëtarë të MPB-së dhe janë këshilluar që t’i shpërfillin njoftimet që mbërrijnë në adresat zyrtare të postës elektronike, përkatësisht në e-mail, për t’i injoruar sikur kjo të mos ndodhte, madje disa janë këshilluar që të mos hapet fare e-maili. Me fjalë të tjera, presidenti hesht kur duhet të ishte më i zëshmi, në vend që të jetë tani, kur ne jemi në shënjestër të asaj që ata besojnë se është një sulm hibrid, për të mbledhur këshillin e sigurisë, ai hesht, taktizon”, u shpreh Hristijan Mickoski, kryetar I VMRO-DPMNE-së.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se po bëhet e pamundura që ky problem të neutralizohet.

“Për të parandaluar braktisjen e shkollës, MPB-ja dhe Ministria e Arsimit  po punojnë çdo ditë për të gjetur një mënyrë për të zbatuar procedurat që do të garantojnë se bëhet fjalë për një raport të rremë për bombë dhe që fëmijët mund të ndjekin mësimin. Edhe unë jam prind dhe përballem me të njëjtat probleme për sa i përket arsimimit të fëmijëve”, thksoi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Muajt e fundit alarmet për bomba janë bërë përditshmëri në shkollat e vendit. Më së shumti po pësojnë nxënësit, të cilët me të nisur mësimi detyrohen të largohen nga objekti shkollor që më pas policia të kryej kontrollet e nevojshme./Alsat.mk


Shtuar 4.03.2023 08:48