Takimi në Bruksel, opozita e Kosovës kërkesë Kurtit: Raporto për dialogun me Serbinë

Liderë të partive opozitare në Kosovë kanë kërkuar të enjten që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të raportojë në Kuvend në lidhje me dialogun Kosovë- Serbi, pas takimit të nivelit të lartë që Kurti e kishte me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 27 shkurt në Bruksel.

Në seancën e rregullt të Kuvendit të Kosovës, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, bëri mocion për ndryshim të rendit të ditës së seancës për të përfshirë një raportim të kryeministrit para deputetëve.

Abdixhiku, gjatë prezantimit të këtij mocioni, kritikoi propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, me tekstin e të cilit janë pajtuar në parim kryeministri Kurti dhe presidenti serb, Vuçiq.

“Marrëveshja(propozimi evropian) e pa prezantuar në Kuvend, u prezantua po në natën e 27 shkurtit. Nga ky publikim u vërtetuan të gjitha brengat tona të ngritura në këtë Kuvend. Ajo as nuk ishte finale, as nuk përmbante njohjen e ndërsjellë”, tha Abdixhiku.

Ai tha se preambula e këtij propozimiqë ndër të tjerat përmban tekstin “për të kapërcyer trashëgiminë e së kaluarës” dhe “pa paragjykuar pozicionet e ndryshme të palëve në lidhje me çështjet themelore, përfshirë çështjen e statusit”, paraqet dëm historik për Kosovën.

“Marrëveshja Kurti-Vuçiq përveçse tejkalon trashëgiminë e së shkuarës, sjell neturalitetin ndaj statusit politik dhe atë si vlerë”, tha ai.

Kryeministri Kurti momentalisht nuk gjendet në Kuvend dhe këtë fakt e kritikoi kryetari i partisë tjetër opozitare, Memli Krasniqi.

“Sot është dita e katërt që prej kur kryeministri ka deklaruar se e pranon marrëveshjen në bazë të propozimit evropian. Një politikan i përgjegjëshëm do të kishte ardhur vetë, pa e ftuar. Por kryeministri i Kosovës nuk është këtu as sot. Unë nuk e kuptoj çfarë pune më të rëndësishme ka sot”, tha ai.

Kërkesën e opozitës dhe komentet e tyre për propozimin evropian i kundërshtoi Mimoza Kusari-Lila, shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Dua t’ia kujtoj Lumir Abdixhikut se nga e njëjta foltore e ka akuzuar kryeministrin për izolim të Kosovës, për mosbashkërendim me aleatët ndërkombëtarë…”, tha Kusari- Lila.

Kuvendi i Kosovës në rendin e ditës të enjten ka paraparë edhe një debat në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, por debati nuk është në fillim të këtij rendi.

Propozimi evropian është thënë se synon që të çojë palët drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në propozimin evropian nuk përmendet decidivisht njohja e ndërsjellë. Megjithatë, në nenin dy të propozimit thuhet se palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës.

BE-ja ka thënë se palët kanë shprehur gatishmërinë që ta zbatojnë planin. Kjo do të bëhet përmes diplomacisë fluturuese, përkatësisht përmes udhëtimeve që pritet të realizojë në Prishtinë dhe Beograd i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. /REL


Shtuar 2.03.2023 11:35