Pas 10 viteve në të cilët numëron 388 paraqitje dhe 258 gola në të gjitha kompeticionet Sergio Aguero do t’i japë lamtumirën Manchester City-n dhe finalja e Champions Leagues mes Citiziens dhe Chelsea-t në D’o Dragao të Oportos do të jetë edhe ndeshja e fundit e El Kun me fanellën e kampionëve të Anglisë.
Në moshën 33-vjeçare i mbush në 2 qershor, sulmuesi argjentinas do të provojë një eksperiencë të re, teksa do të rikthehet në La Liga aty ku më parë ka mbajtur veshur fanellën e Atletico Madrid. Sergio Aguero do të firmosë zyrtarisht për Barcelonën pas finales së Champions League me të cilët ka arritur akordin për një kontratë 2-vjeçare me një pagë disi më të ulët se 12 milionë eurot që përfiton aktualisht në sezon me Manchester City-n.
Faktori kryesor që Aguero ka zgjedhur Barçën ka qenë Lionel Messi, shoku i tij në kombëtaren argjentinase me të cilin El Kun ka raporte të shkëlqyera. Kalimi i Agueros në Camp Nou konfirmon edhe qëndrimin e Messit te Barça të paktën edhe për sezonin e ardhshëm me 6-herë fituesin e Topit të Artë që ka vendosur të rinovojë kontratën me skuadrën e drejtuar nga holandezi Ronald Koeman. Bashkë me Agueron te Barcelona do të transferohet edhe mbrojtësi i talentuar Eric Garcia i cili ashtu si sulmuesi argjentinas do të kalojë në Camp Nou me parametër zero, pasi këtë verë i përfundon kontrata me Manchester City-n.