Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku priti paraditen e sotme, në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ambasadorin e ri të OSBE-së në Shqipëri, Guido de Sanctis.
Në këtë takim, u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm midis Policisë së Shtetit dhe OSBE-së, si dhe u hodhën baza të qenësishme mbi objektivat e përbashkëta të së ardhmes.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit uroi ambasadorin për detyrën dhe nëpërmjet tij, shprehu mirënjohje për përfaqësuesit e OSBE-së në Shqipëri, për kontributin e dhënë për punonjësit e Policisë së Shtetit, përmes trajnimeve dhe asistencës logjistike, për aspekte të tilla si: trafiqet e paligjshme, krimet kufitare dhe krimi kibernetik.
Takimi vuri theksin mbi 2 elemente të rëndësishme për funksionimin e shtetit ligjor gjatë periudhës specifike të zhvillimit të zgjedhjeve bashkiake të këtij viti, që është roli i punonjësve të Policisë së Shtetit, në mbarëvajtjen e këtij procesi, si dhe asistenca teknike që do të ofrohet nga OSBE-ja, me qëllim që detyrat fuksionale të punonjësve të
Policisë, në këtë fushë, të përmbushen me efikasitet dhe ligjshmëri të plotë. Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri shprehu gatishmërinë e plotë për të bashkëpunuar me Policinë e Shtetit, me qëllim përmbushjen e standardeve europiane të sundimit të ligjit, organizimit të zgjedhjeve në vend dhe të respektimit të të drejtave e lirive të njeriut./albeu.com/