Nga Leon Aron “Washington Post”
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
“Kur ne vrasim menjëherë 5 nga 10 ushtarët e tyre, ata i zëvendësojnë sërish gjatë disa orësh”- më tha së fundmi një oficer ukrainas për trupat ruse, që kanë rrethuar prej javësh qytetin Bakhmut në Ukrainën lindore. Rusët, shtoi ai, sulmojnë “5, 6, 7 herë në ditë” pozicionet e ukrainasve.
Egërsia dhe mizoria e paprecedentë e sulmit rus në Bakhmut, mund të sinjalizojë shfaqjen e një doktrine të re luftarake të Kremlinit. Rusët e nisën këtë luftë si një sulm relativisht të teknologjisë së lartë. Por pas tërheqjes nga Kievi dhe rajoni Kharkiv, dhe pas humbjes së Khersonit, drejtimi i operacioneve po i drejtohet me shpejtësi motove të dikurshme me të cilat Bashkimi Sovjetik i Josif Stalinit e zhvilloi Luftën e Madhe Patriotike (siç i referohen gati gjithmonë rusët Luftës së Dytë Botërore): përdorimi i shfrenuar si mish për top i ushtarëve rusë.
Shkarkimi në fillim të këtij muaji i gjeneralit Sergei Surovikin, ish-komandantit të trupave ruse në Ukrainë, që organizoi një tërheqje pak a shumë të rregullt nga Kherson, e përsëriti mesazhin: Shpëtimi i jetëve të ushtarëve rusë nuk ka rëndësi; ecja përpara me çdo kusht po.
Rikthimi tek metodat e Stalinit është përgatitur nga ri-stalinizimi i Rusisë së Vladimir Putinit: represioni në rritje të vazhdueshme; histeria anti-perëndimore e fjalimeve të Putinit, vulgariteti i të cilave do të turpëronte çdo lider sovjetik që e pasoi Stalinit; si dhe patriotizmi i militarizuar si ideologji de facto zyrtare.
Në vitin 2020, pas vitesh propagande pro-ushtarake, rusët e vlerësuan ushtrinë si institucionin kombëtar më të besuar. Tani ushtarët rusë mund të adhurohen në Katedralen e Forcave të Armatosura të ndërtuar së fundmi. Kërcënimi i supozuar i përhershëm i Perëndimit ndaj sovranitetit të Rusisë është bërë tema dominuese e propagandës dhe mbrojtja e atdheut të Putinit nga grabitjet e Perëndimit, është shtylla kryesore e mbështetjes së tij dhe legjitimitetit të regjimit të tij.
Fitorja sovjetike në Luftën e Madhe Patriotike, është shpallur ngjarja më domethënëse në historinë e Rusisë dhe si kulmi i lavdisë kombëtare. Dita e Fitores më 9 maj është bërë festa më e rëndësishme, e kompletuar me fëmijët e mitur të veshur me uniforma të Luftës së Dytë Botërore, karroca në formë tankesh dhe fëmijë të rreshtuar në parada ushtarake.
“Histeria ushtarako-patriotike të kujton Bashkimin Sovjetik të viteve 1930, epokën e paradave të sportistëve dhe modeleve të ndryshme të tankeve. Sot, njerëzit veshin sërish
me gëzim uniformat e Ushtrisë së Kuqe, fotografohen hipur mbi tanke dhe e presin me entuziazëm luftën. Në liturgjinë e fitores së pafundme, Putini ka krijuar një komb luftarak që e shikon botën përmes frëngjisë së një tanku”- shkruan gazetari opozitar Sergei Medvedev.
Triumfi i Stalinit gjatë luftës, e ka shfajësuar atë nga të gjitha krimet e tij monstruoze. Një sondazh i vitit 2021, tregoi se 60 për qind e rusëve e shihnin pozitivisht Stalinin. Ishte kulmi i një tendence shumëvjeçare që e rendiste diktatorin sovjetik në një nivel me Carin Pjetri i Madh dhe poetin Alexander Pushkin.
Në vitin 2012, në ditëlindjen e 60-të të Putinit, moderatori dhe propagandisti pro-Putin, Dmitry Kiselyov, e përfundoi homazhin e tij duke u thënë shikuesve se nga të gjithë udhëheqësit rusë dhe sovjetikë të shekullit XX-të, Putini ishte i krahasueshëm vetëm me Stalinin.
Menjëherë pas atij momenti, Putini mori titullin që Stalini i dha vetes në fillim të Luftës së Madhe Patriotike: “Komandanti i Përgjithshëm Suprem”. Megjithëse sekretarët e përgjithshëm të Partisë Komuniste që pasuan Stalinin mbanin ex officio, një titull të tillë asnjë udhëheqësi sovjetik nuk i ishte adresuar kaq publikisht.
Ministri i Mbrojtjes i Putinit, Sergei Shoigu, ia përmendi atë titull në nëntorin e vitit 2015, kur i raportoi për sukseset e Rusisë në Siri. Që nga ajo kohë, titulli është përsëritur në çdo funksion ushtarak apo paraushtarak ku Putin mori pjesë, qoftë në një takim në selinë e policisë ruse apo në një paradë detare.
Gjatë paradës në Ditës së Fitores të vitit të kaluar, Putin u identifikua si “president dhe Komandant i Përgjithshëm Suprem”. Ky emërtim i dyfishtë ndodhi për herë të parë në 22 vitet e Putinit në krye të vendit. “Putin po përpiqej të kapej nga pardesyja ushtarake e Stalinit dhe të futej në çizmet e tij”- shkroi filozofi politik Aleksandër Tsypko.
Beteja për kontrollin e Bakhmut, ka treguar se Putin nuk po e kopjon Stalinin në dukje. Urdhri famëkeq nr.227 i Stalinit i vitit 1942, i njohur si “As një hap prapa!”, krijoi batalionet ndëshkimore, shtrafbat. Të pajisur me oficerë dhe ushtarë “fajtorë për shkeljen e disiplinës”, këto njësi u dërguan në prapavijë për të “shlyer me gjak krimet e tyre kundër atdheut”.
Ata me fat që u plagosën, por nuk u vranë, u rikthyen në njësitë e rregullta. E përforcuar me kriminelë të nxjerrë nga burgjet, të cilëve u është premtuar falja dhe liria pas 6 muajsh luftime në Ukrainë, ushtria private mercenare e Putinit, Grupi Vagner, i ngjan gjithnjë e më shumë një shtrafbat.
Thuhet se ushtarët e saj janë dërguar në misione vetëvrasëse ose janë ekzekutuar shkurt për “burracakëri”. Grupi Vagner e ka tejkaluar tashmë në mizori policinë sekrete të Stalinit. Dikur xhelatët i qëllonin me armë “tradhtarët”, ndërsa pasardhësit e tyre ua thyejnë kafkat me një vare.
Mund të mos kalojë shumë kohë përpara se të shohim një përsëritje tjetër të urdhrit nr. 227, pra krijimin e një “njësi bllokuese”, – të pozicionuara pas ushtarëve që përparojnë për të qëlluar për vdekje cilindo që tërhiqet apo heziton.
“E mbytëm armikun në gjakun tonë; e varrosëm atë nën kufomat tona!”- deklaroi në vitin 1988 veterani dhe korrespondentin i luftës, Viktor Astafiev mbi përvojën e tij në Luftën e Madhe Patriotike. Ministri aktual i Mbrojtjes, Shoigu, ka propozuar rritjen e numrit të personelit luftarak në forcat e armatosura, nga 1.15 milionë në 1.5 milionë. Putini është gati për një luftë të përmasave edhe më të mëdha. Gjithashtu gati duhet të jetë edhe Ukraina dhe mbështetësit e saj perëndimorë. /albeu.com
Shënim:Leon Aron është anëtar i think-tankut amerikan “American Enterprise Institute”, dhe sapo ka shkruar një libër mbi pushtimin rus të Ukrainës.