Megaoperacioni në Shijak, zbulohet arsenal armësh, dy vëllezër pronarë të “shtëpisë së barit”. Dyshohet se grupet kriminale…

Policia e Durrësit ka dalë në një konferencë për mediet lidhur me shtëpinë e barit të zbuluar në Shijak.

Drejtori i policisë së Durrësit, Skënder Hita bëri me dije se u finalizua operacioni “Krahët e krimit” në kuadër të të cilit u arrestua 46 vjeçari F.K dhe u shpall në kërkim vëllai i tij.

Policia Durrës pas një hetimi të gjatë finalizoi megaoperacionin “Krahët e Krimit” në fshatin Sallmone të Shijakut ku u zbulua një banesë katër katëshe në pronësi të vëllezërve F.K dhe S.K.

Kati i tretë dhe i katërt i kësaj banese ishn përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave. Gjatë kontrollit në këto dy kate u gjetën dhe sekuestruan 444 bimë narkotike kanabis 242 llamba elektrike dhe pajisje të tjera që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike.

Është ushtruar kontroll i imtësishëm në të gjitha ambientet e banesës. Në një ambient me mur të dyfishtë të kësaj banese është gjetur një arsenal armësh, 10 kallashnikovë, 1 pushkë, 1 automatik, granata dore,  jelek antiplumb, dylbi, muncion luftarak që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

U arrestua F.K, dhe u shpall në kërkim vëllai i tij, S.K me precedentë të mëparshëm penalë në fushën e armëmbajtjes pa leje. Dyshohet se armët e gjetura në këtë ambient mund të jenë fshehur nga pjesëtarë të grupeve kriminale.

Policia Durrës vijon veprimet e thelluara hetimore për të dokumentuar me prova ligjore autorësinë e vërtetë të posedimit të armëve me qëllim kapjen dhe arrestimin e autorëve të tjerë të kësaj  ngjarjeje.

/Albeu.com/


Shtuar 24.01.2023 10:16