Gazetari investigativ, Artan Hoxha, ka folur për arrestimin e bosit të mafias italiane që u vu në pranga nga karabinierët në Itali disa ditë më parë pas më shumë se 30 vjetësh në arrati.
Hoxha tha në Euronews Albania se Denaro, në pjesën më të madhe është kërkuar nga shërbimet ushtarake pasi personazhe si ai ndikojnë në jetën social-ekonomike të vendit.
Mënyra se si e kanë shoqëruar, nga një karabiniere femër dhe një karabinier në krahun tjetër tregon sipas Hoxhës për vetëdorëzim dhe është një skenë disi qesharake për një personazh të kthyer në një mit të pakapshëm.
“Antimafia italiane mbahet nga strukturat më të mira në botë kundër krimit të organizuar dhe kur ke të bësh me njerëz të tillë që nuk kanë lëvizur nga Sicilia, aty kanë qenë, lind pyetja si është e mundur që në një vend me kapacitet si Italia nuk është kapur. Në pjesën më të madhe, atë e kanë kërkuar shërbimet ushtarake se ata janë personazhe që ndikojnë në jetën social-ekonomike. Edhe mënyra si e kanë shoqëruar, me një karabinere femër dhe një karabinier në krahun tjetër. Në përgjithësi dorëzimet janë skena komike, një personazh që është kthyer në mit dorëzohet në këtë mënyrë”, tha Hoxha./albeu.com/