Policia në jug të Uellsit ka vendosur një shpërblim prej 5 mijë paund për këdo që jep informacion për vendin ku fshihen tre shqiptarë të kërkuar për vrasje.
Tre shqiptarët e shpallur në kërkim janë: Josif Nushi 26 vjeç, Mihal Dhana 27 vjeç dhe Gledis Mehalla 19 vjeç. Ata akuzohen për vrasjen e Tomasz Waga, në janar të këtij viti.
“Crimestoppers”, një organizatë jo qeveritare që ndihmon në sensibilizimin e publikut për të ndihmuar kapjen e personave të kërkuar, thotë se viktima Tomasz Waga, kishte udhëtuar nga Dagenham në Londër drejt Kardifit në Uells, ndërsa u gjet i vdekur në Westville Road, Penylan.
Është zbuluar se Nushi, Dhana dhe Mehalla, kanë lidhjet e tyre me qytetin e Lushnjës dhe janë larguar nga Kardifi pas vrasjes së Tomasz Waga.
Kjo vrasje lidhet me arsye kriminale, pasi tre shqiptarët ishin të përfshirë me rritjen e kanabisit nëpër shtëpi.