Tre vrasje në dy ditë, reagon Meta: Të zbardhen menjëherë aktet kriminale

Në lidhje me ngjarjet e fundit në vend, ku janë vrarë tre persona në dy ditë, ka reaguar Presidenti Ilir Meta.

Meta shkruan se revanshi i krimit në qytetet kryesore të vendit kërkon masa të menjëhershme reaguese dhe parandaluese. Më tej ai shkruan se, autorët e këtyre krimeve duhet të ndalohen sa më parë.

“Revanshi i krimit në qytetet kryesore të vendit kërkon masa të menjëhershme reaguese dhe parandaluese, nga të gjitha institucionet e ngarkuara me ligj për mbrojtjen e rendit dhe të sigurisë publike.

Autorët e këtyre krimeve duhet të ndalohen sa më parë dhe aktet kriminale të konsumuara në zemër të qyteteve tona, që po tronditin rëndë opinionin, duhen të zbardhen menjëherë nga drejtësia dhe duhet të marrin dënimin më të rreptë ligjor”, shkruan Meta.

Kujtojmë se, të hënën në drekë u vra me breshëri plumbash, Bledar Birçaj në Vlorë, ndërsa në orët e vona po të së hënës u vra në Tiranë nga shoku i tij, Mehmet Qema, 27-vjeç. Një ditë më vonë, të martën në mbrëmje, u vra me disa plumba Everest Çaka në Elbasan./albeu.com


Shtuar 12.05.2021 15:34

Tags: