Lukaku nuk gjen paqe, Inter humbet përsëri sulmuesin belg

Romelu Lukaku nuk do të luajë në ndeshjen e Interit për Kupën e Italisë kundër Parmës, pasi ka probleme në gju.

Magjia e kthimit të sulmuesit 29-vjeçar belg te zikaltërit është zbehur plotësisht nga dëmtimet, duke i kufizuar paraqitjet në vetëm 348 minuta lojë në Serie A që nga ardhja e tij në korrik.

Lukaku u aktivizua nga stoli në barazimin 2-2 me Monzën dhe bëri një përformancë nën mesataren. Siç raportohet nga Sky Sports Italia, Lukaku ka probleme me gjurin, duke e detyruar atë të largohet për të paktën disa ditë. Sulmuesi belg tani do të nisë punën individuale dhe nuk do të kontribuojë në ndeshjen e 1/16-tave së Kupës së Italisë me Parmën.

Gjendja e 29-vjeçarit do të rivlerësohet përpara sfidës së ekipit nga Milano në fundjavë me Hellas Verona. Shpresohet që Lukaku të kthehet në fushë për përballjen e Superkupës së Italisë me Milanin më 18 janar.


Shtuar 9.01.2023 19:41