Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë, që të aplikojnë për vende pune në institucionet e Kosovës.
“Zbrazëtinë që ekziston brenda institucioneve tona të përbashkëta pas dorëheqjes kolektive dhe kryesisht të detyruar, të disa qindra serbëve, ne nuk duam ta mbushim me shqiptarë”, tha Kurti në një konferencë për media, teksa bëri një adresim në gjuhën serbe.
“Prandaj, i ftoj të gjithë serbët nga Kosova që të aplikojnë për këto vende pune, veçanërisht serbët që nuk kanë pasur asnjë shans deri më tani”, shtoi ai.
Në nëntor, qindra serbë në veri të Kosovës u larguan nga Policia e Kosovës, institucionet e drejtësisë dhe institucionet lokale e qendrore.
Dorëheqjet u dhanë në shenjë pakënaqësie ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës që kishte të bënte me rirregjistrimin e makinave me targa serbe, në ato RKS – Republika e Kosovës.
Që nga ajo kohë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje për targat.
Gjatë adresimit në gjuhën serbe, Kurti u tha serbëve se Kosova është shteti i të gjithëve, ku të gjithë janë të mirëseardhur, pavarësisht përkatësisë fetare apo racore.
“Ne qëndrojmë për një ndarje të qartë midis fesë dhe shtetit, midis institucioneve fetare dhe institucioneve demokratike”, tha ai.
Thirrja e Kurtit që serbët në veriun e Kosovës, të aplikojnë për punë në institucionet e Kosovës, vjen në kohën kur në këtë pjesë të shtetit për 19 ditë me radhë janë të vendosura barrikada.
Disa serbë lokalë që nga 10 dhjetori kanë vendosur barrikada në veri, duke bllokuar rrugët që çojnë drejt pikave kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë.
Që atëherë këto dy pika janë mbyllur për qarkullim, ndërkaq nga 27 dhjetori është mbyllur edhe pikëkalimi i Merdares, pas vendosjes së barrikadave në territorin e Serbisë.
Serbët lokalë ngritën barrikadat në shenjë pakënaqësie me arrestimin e ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiç. Kosova ka thënë se Pantiç dyshohet për organizimin e sulmit të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.
Pantiçit më 28 dhjetor iu është zëvendësuar masa e paraburgimit me arrest shtëpiak.
Për barrikadat, Kosova ka fajësuar “bandat kriminale” që kanë mbështetjen e Serbisë, ndërkaq Beogradi ka thënë se barrikadat do të hiqen kur Prishtina të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.