Komisioni i Organizimit në Partinë Demokratike ka bërë të ditur se procesi i votimit në primare në të gjitha bashkitë e vendit do të zgjasë deri në orën 18:00.
Në njoftim thuhet se nëse do të ketë ende anëtarë që nuk kanë votuar brenda këtij afati, qendrat e votimit do të qëndrojnë hapur derisa të votojë edhe demokrati i fundit.
Deklarata e plotë
Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale pranë Partisë Demokratike njofton që ditën e djelë, datë 4 dhjetor 2022, janë duke u zhvilluar votimet e Primareve për kandidatët për Kryetarë Bashkie të Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Procesi i votimit ka nisur dhe po zhvillohet normalisht në të gjitha degët ë Partisë Demokratike ku zhvillohen Primaret sot!
Procesi i votimit do të mbyllet në orën 18:00. Nëse në orën 18.00 do të ketë anëtarë të PD që ende nuk kanë votuar, Qendrat e Votimit nuk do të mbyllen derisa të ketë votuar edhe personi i fundit.
Anëtarët e Këshillit Kombëtar të PD votojnë në njërën prej dy qendrave të votimit: në Selinë Qendrore të Partisë Demokratike ose në degët ku ata janë të deleguar pasi të kenë njoftuar pranë Komisionit.
Data 4 dhjetor është një ditë historike jo vetëm për PD por për të gjithë shqiptarët! Anëtarë e simpatizantë të PD do të zgjedhin me votën e tyre kandidatin e tyre për kryetar të bashkisë.
Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale fton të gjithë anëtarët e simpatizantët e PD të bëhen pjesë e procesit të Primareve.