Një megaoperacion i zhvilluar ditën e sotme ku morën pjesë DEA, SPAK dhe policia malazeze bëri të mundur kapjen e një sasie të madhe droge të fshehur në një sasi prej 400 kliogram pleh kimik në Tivar, ndërkohë që u zbulua dhe laboratori që përdorej për përpunimin e kokainës në Frakull të Fierit.
Abc ka siguruar videon e megaoperacionit të zhvilluar në Frakull të Fierit ku ndodhej laboratori i drogës. Laboratori është gjetur në banesën e ish-kryeplakut të fshatit Frakull, Viktor Çervanaku i cili jeton në Tiranë.
Mes të arrestuarve janë edhe dy shtetas kolumbianë, pasi ishin ata që të cilët bënin përpunimin e kokainës.
Deri tani janë arrestuar 15 persona, katër prej të cilëve në Tiranë. Të arrestuarit janë mbajtur nën vëzhgim dhe janë përgjuar prej disa kohësh.
Ndërkohë, në laboratorin që u zbulua në fshatin Fratar të Fierit janë kapur edhe 2 kallashnikov, një shotgun dhe një çifte.
Burime bëjnë me dije se sasia e drogës ka mbërritur në portin e Tivarit, prej ku është transportuar në Fier. Prej së paku 3 muajsh personat e përfshirë janë mbajtur nën përgjim, ndërsa sot është ndërhyrë.