Përse nuk punojnë të rinjtë? Arsyeja kryesore janë pagat e ulëta, sipas sondazhit

Të rinjtë shqiptarë sot kërkojnë një perspektivë më të qëndrueshme financiare, sociale dhe profesionale.

Sipas sondazhit të Këshillit të Investimeve, problemi më i rëndësishëm i punësimit në sektorin ku të rinjtë aspirojnë të punësohen lidhet me pagat e ulëta të ofruara në krahasim me pretendimet, që ata kanë.

26% e të anketuarve rendisin si arsye primare të mosangazhimit të tyre në punë, pagat e ulëta që ofrojnë kompanitë, krahasuar me pretendimet e tyre, referuar sondazhit mbi disponueshmërinë dhe cilësinë e fuqisë punëtore të zhvilluar nga Këshilli i Investimeve. Ky raport analizon mospërputhjet punëdhënës-punëmarrës në tregun vendas dhe përfshin rreth 250 sipërmarrës dhe 260 të rinj të anketuar gjithsej.

Mentaliteti i punëdhënësit, ku përfshihet komunikimi, përgjegjshmëria siguria apo qëndrueshmëria në punë përbën problematikën e dytë kryesore për 16% të të anketuarve gjithsej.

Më pak shqetësuese duket të jetë kultura e punës, sistemi arsimor, kualifikimi i pamjaftueshëm, pozicionet e pa preferuara, ngarkesa në punë, puna në të zezë, transporti etj.

Të rinjtë shqiptarë motivohen nga paga, njohja, vlerësimi nga eprorët dhe kushtet apo ambienti i punës.

Këta të fundit kërkojnë një perspektivë të qëndrueshme financiare, çka përbën edhe arsyen primare pse shumë prej tyre largohen nga vendi. 25% e të anketuarve rendisin si arsyen kryesore të motivimit në punë, pagën e ofruar.

Peshë të lartë zë dhe njohja apo vlerësimi i punës nga eprori për 17% të të anketuarve.
Së treti, por jo më pak të rëndësishme janë dhe kushtet e punës, trajnimet hyrëse dhe formimi profesional dhe mundësitë e rritjes në karrierë, përkatësisht me 15% të të anketuarve gjithsej secila.

Pjesa e të rinjve që nuk e gjejnë veten tek ofertat e subjekteve ose kanë zgjedhur alternativa që kërkojnë më pak njohuri profesionale por që iu ofrojnë të ardhura më të larta ose po largohen nga vendi kryesisht drejt shteteve europiane.

42% e të rinjve shprehen se arsyeja kryesore se përse e konsiderojnë punësimin jashtë Shqipërisë është qëndrueshmëria finaciare dhe sociale. Zhvillimi profesional është thelbësor për 28% të pjesëmarrës në pyetësorin e Këshillit të Investimeve.

Mungesa e fuqisë punëtore, sidomos e të rinjve që zgjedhin të largohen jashtë vendit për të punuar, është kthyer në një shqetësim për sipërmarrjet. Banka Botërore. në raportin e fundit për zhvillimet rajonale vuri në dukje se një valë e re emigrimi e të rinjve shqiptarë është një nga shkaqet kryesore të mungesës së fuqisë punëtore.

Sipas Bankës, dëshira e shprehur për të emigruar tani arrin kulmin midis grup-moshës 27-30 vjeç në Shqipëri, duke sugjeruar se emigracioni do të vazhdojë të ndryshojë strukturën demografike të Shqipërisë.

/Monitor