Hetimi për shkarkimin, Meta: Nuk ka asnjë sqarim! Takohemi me 10 maj

Presidenti Ilir Meta i ka kthyer përgjigje Komisionit të Ligjeve të cilët e kanë njoftuar për hetimin për shkarkimin. Meta ka thënë se nuk ka asnjë kërkesë apo sqarim se pse dërgohet apo çfarë kërkohet prej Presidentit të Republikës,teksa ka thënë se është gati të vijë në datë 10 maj, e cila përkon dhe me ‘Ditën Kombëtare të Drejtësisë’.

Në përgjigjen e tij 13 faqe, Presidenti ka ngritur disa nga ngjarjet mbi të cilat duhet të hedh dritë Kuvendi i Shqipërisë. Edhe pse sipas tij, nuk është vënë në dijeni për temat e diskutimit, Meta thekson se do të ishte i gatshëm të fillonte me ngjarjen e Kavajës.

“Rasti i ngjarjes së Kavajës ku një Sekretar i Partisë Demokratike mbeti i plagosur me armë brenda në zyrën e kësaj force politike.

Në datën 20 Prill, kanë hyrë në zyrën elektorale të PD-së dhe kanë qëlluar me armë Sekretarin e Partisë Demokratike të kësaj zyre elektorale, z. Bledar Okshtuni.

Autorët e identifikuar, janë në lidhje direkte me Kryebashkiakun socialist të emëruar të qytetit të Kavajës dhe shtabin e tij elektoral.

Presidenti, si dhe opozita e  vërtetë, i kanë bërë publik autorët dhe lidhjet e tyre me partinë-shtet.

Ja ku keni foton e publikuar. Ju mund ta hetoni, por pse jo mund ta diskutoni dhe komentoni bashkarisht në Komision me Presidentin e Republikës mbi këtë ngjarje.

Nga zbardhja e kësaj ngjarje duhet filluar!

Këta Policë dhe drejtues të Policisë Bashkiake të Kavajës, janë nën shoqërinë e Kryetarit të Bashkisë dhe Kryetarit të Partisë Socialiste Kavajë, sëbashku me autorin e ngjarjes. Disa prej tyre të pranishëm edhe gjatë plagosjes me armë.

Ndaj Presidenti i Republikës do të pranonte me kënaqësi të diskutonte me ju në sy të publikut mbi disa çështje që jo vetëm paraqesin interes për publikun, por mund të hedhin dritë mbi ngjarjen dhe nxitësit e vërtetë të dhunës”, thekson Meta.


Shtuar 5.05.2021 12:14