Sasia më e madhe e kapur në 20 vitet e fundit në provincën Capitanata, arrestohen dy shqiptarë me kokainë në Itali (VIDEO)

Policia italiane ka vënë në pranga 2 shtetas shqiptarë, të cilët janë kapur me 26 kg kokainë në makinën e tyre me targa suedeze. Arrestimi i tyre është bërë në zonën e Foogia-s. Sipas mediave italiane, kjo është sasia e kapur më e madhe në 20 vitet e fundit, në provincën e Capitanata. Sipas hetuesve, droga do të kapte vlerën e 5 milionë eurove nëse do të shitej.

Si ndodhi arrestimi i tyre

Policia vuri re makinë me targa suedeze që sapo kishte ndaluar në një servis pranë San Severos. Dy të dyshuarit, të cilët kishin pasaportë suedeze, shfaqën menjëherë nervozizëm. Kjo ka bërë që policia të dyshojë dhe menjëherë ka nisur kontroll. Gjatë kontrollit u zbulua droga, një pjesë nën sediljen e shoferit dhe pjesa tjetër në sediljen e pasagjerit. Tashmë kanë nisur hetimet për të gjurmuar si tregun e furnizimit me kokainë, ashtu edhe për të kristalizuar rolet e dy të arrestuarve, pra nëse ata luajnë rolin e vetëm të korrierëve të drogës apo janë pjesë e bandave kriminale vendase./albeu.com