Konflikti mes Azerbajxhanit dhe Armenisë, SHBA bën thirrje: Jepuni fund armiqësive

Shqetësimin e fortë të qeverisë amerikane për shkak të raportimeve për armiqësi përgjatë kufirit midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, shprehu sekretari amerikan i shtetit Anthony Blinken, duke kërkuar përfundimin e menjëhershëm të konflikteve.

“Siç e kemi bërë të qartë prej kohësh, nuk mund të ketë zgjidhje ushtarake për konfliktin,” tha kryediplomati amerikan në një deklaratë. “Ne bëjmë thirrje për një fund të menjëhershëm të armiqësive ushtarake,” nënvizon ai.

Armiqësitë në kufirin Azerbajxhan-Armeni shpërthyen natën e së hënës në të martën dhe ka raporte për viktima midis forcave ushtarake nga të dyja palët.

Marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike janë tensionuar që nga viti 1991 për enklavën e diskutueshme të Nagorno-Karabakut. Konflikti për kontrollin e saj u përshkallëzua përsëri në vjeshtën e vitit 2020, kur shpërtheu një luftë 44-ditore, gjatë së cilës forcat azere morën kontrollin e disa sektorëve.

Lufta përfundoi falë një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar nga Rusia, por Baku dhe Jerevani herë pas here kanë akuzuar njëri-tjetrin për shkelje të armëpushimit përgjatë kufirit./albeu.com


Shtuar 13.09.2022 07:37