Leo Messi në versionin “rep”, videoja pushton Argjentinën para Botërorit

“Shpikja” e fundit e rrjeteve sociale ka pushtuar plotësisht gjithë Argjentinën. Është një video në të cilën ylli argjentinas Leo Messi shfaqet duke “repuar”, shoqëruar me imazhet më të mira të gjithë karrierës së tij dhe me bazën e këngës së re të Duki, “Givenchy”.

Një figurë si Leo Messi ka qenë gjithmonë objektivi i këtij lloji videosh, padyshim false, ku kërkohet komedia, por në disa raste tentohet të nderohet edhe protagonisti.

Nuk dihet nëse Messi e ka parë videon në fjalë, por e sigurt është se ka qenë trend në Argjentinë, ditët e fundit. Kjo ka ndodhur pjesërisht edhe sepse tema e përdorur ka qenë një trend global.

Me siguri do të vazhdoni të shihni montazhe të këtij lloji, aq më tepër me Kupën e Botës vetëm tre muaj larg në Katar. Argjentinasit kanë filluar të besojnë te fitimi i së tretës Kupë Bote në histori.

Kombëtarja e drejtuar nga Scaloni ka ngritur pritshmëri të mëdha në të gjithë vendin, për shkak të rezultateve në fushë, gjithashtu edhe për shkak të bashkëjetesës tejet pozitive që është krijuar në ekip.