Kriza energjitike, Arsovska: Qyteti i Shkupit nuk do ta fikë ndriçimin publik

Kriza Energjitike që ka përfshirë gjithë Europën, ka prekur edhe Maqedoninë e Veriut.

Disa masa priten të ndërmerren për kursimin e energjisë në javët në vijim.

Por kryetarja e qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, është shprehur se dritat nuk do të fiken në ndriçimin publik.

“Qyteti i Shkupit me asnjë kusht nuk do ta ndal ndriçimin publik të bulevardeve dhe të gjitha akseve rrugore që janë nën ingerencat e qytetit. Për sa i përket kursimeve, ne filluam me një qasje paksa të ndryshme, kursejmë ku mundemi, por jo në dëm të qytetarëve. Kjo do të thotë se siguria e qytetarëve duhet të jetë në radhë të parë”, tha kryetarja e qytetit të Shkupit Danella Arsovska në emisionin “Verë e nxehtë politike”, u shpreh ajo në televizionin Kanal 5.

“Kemi bërë shumë reforma në mënyrën e punës dhe po bëjmë kursime të konsiderueshme. Gjithçka që kemi kursyer do të mbetet në buxhet, për rrugën ‘Sllavka Dinkova’ të cilën e promovuam javën e kaluar, kemi kursim prej 32% në vlerën e parashikuar. Në rrugën ‘Butelska’ kursimet janë mbi 40%. Të gjitha mjetet që kursejmë do t’u mundësojnë qytetarëve të Shkupit ndriçimin publik në rrugët dhe bulevardet e qytetit”, shtoi Arsovska.

Sipas saj, siguria e shkupjanëve duhet të jetë në vend të parë, duke pasur parasysh se disa komuna kanë filluar të fikin ndriçimin publik.

“Nëse pyesni këdo që jeton në Shkup se a dëshiron të ecë në mbrëmje në errësirë të plotë, jam e sigurt se do t’ju thotë se nuk dëshiron të ecë në errësirë, sepse ashtu ndihet i pasigurt”, përfundoi ajo./albeu.com/