Një ngjarje e pazakontë ndodhi në fshatin Lupç të Podujevës. Tre vëllezërit Murturi e sulmuan para derës së xhamisë imamin Zeqir Berisha duke i shkaktuar lëndime të rënda.
Hoxha kishte ardhur nga Vlora për të shërbyer si imam në Kosovë, por, në kryerjen e punës imami 60-vjeçar, Zeqir Berisha, hasi në shumë vështirësi.
Vëllezërit shkodranë, Behar e Atdhe Murturi, kishin pakënaqësi për mënyrën e faljes së hoxhës e xhematit në xhamin e fshatit Lupç. Këta të tre, për më shumë se një vit, në mënyra të ndryshme e kishin kërcënuar e pastaj kanosur hoxhën dhe familjen e tij.
Situata u përkeqësua mbrëmjen e së enjtës. Rreth orës 22:00, hoxhë Zeqiri, u ballafaqua sërish me tre vëllezërit të cilët e dhunuan para dyerve të xhamisë ku ai ishte iman. Nga sulmet Zeqir Berisha, mori lëndime të rënda trupore. Ai u gjet nga xhemati në gjendje të rëndë e i shtrirë në tokë dhe u detyrua t’i nënshtrohej edhe një operacioni.
Kreu i Bashkisë Islame në Podujevë, Mensur Hoti ka thënë se imami Zeqir Berisha ka lëndime të rënda në fytyrë, gjakderdhje në kokë, qepje dhe fasha në të gjithë trupin.
“Ne si Bashkësi jemi të shqetësuar. Gjendja e imamit nuk është e mirë, aspak e këndshme. Ka dëmtime të mëdha në fytyrë, në kokë, ka edhe gjakderdhje të brendshme në kokë, kishte edhe qepje, sytë e mbyllur me fasha”, ka thënë Hoti.
Imami duket se me rekomandimin e mjekut, nuk ka qenë në gjendje të komunikojë me kolegët e tij të Bashkësisë Islame. “Ka vetëdije, por nuk po mundet të flasë. Ashtu na tha edhe mjeku. Familjarët nuk dinë shumë për rastin”, u shpreh më tutje Hoti. “Ngjarja ka ndodhur pas namazit të jacisë”.
Në anën tjetër, familjarët në kushte anonimiteti kanë thënë për gazetën, se gjatë muajit të Ramazanit, ata ishin kërcënuar nga po të njëjtit persona.
Për dhunimin e imamit janë arrestuar tre vëllezër: Shkodran, Behar dhe Atdhe Murturi. Shkodran Murturi është edhe mësues në shkollën “Nazim Gafurri” në Prishtinë. Dy jetojnë në Kosovë dhe njeri nga vëllezërit është student në Arabinë Saudite.
Si nisën problemet e imamit të Podujevës me tre vëllëzërit?
Mësohet se problemet e tre vëllezërve me imamin Berisha, kanë nisur kohë më parë e se imami Berisha këto kërcënime i kishte raportuar në Polici.
“Imami para disa kohëve ka pasur probleme me këta persona, me tri vëllezerit. Madje për kërcënimet rastin e ka raportuar disa herë në Polici”, ka thënë ky burim.
Problemet kishin nisur në lidhje me mënyrën e faljes: “Sipas fjalëve të imamit, të tre vëllezërit kanë ideologji vehabiste, me ta ka pasur probleme vazhdimisht. Sidomos për mënyrën e të falurit. Problemet kanë nisur gjatë kohës së pandemisë, kur shteti kufizoi namazin në xhami. Tri vëllezërit nuk i respektonin masat e qeverisë”.
Pas sulmit të rëndë ndaj imamit të Lupqit Zeqir Berisha, ka reaguar edhe Bashkësia Islame e Kosovës. Në një komunikatë për media, BIK-u ka dënuar këtë sulm të rëndë që ka ndodhur në hapësirat e xhamisë.
“Dënojmë me ashpërsinë më të madhe sulmin mbi imamin e xhamisë së fshatit Lupç, të komunës së Podujevës, Zeqir ef. Berishës. Sulmi i mbrëmshëm mbi imamin në hapësirat e xhamisë, në vendin e tij të punës, është akt i papranueshëm, madje përveçse sulm mbi imamin është edhe atak mbi xhaminë dhe xhematin e respektuar”, thuhet në komunikatë.