Në Greqi janë shprehur entuziastë për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Në prag të konferencës së parë ndërqeveritare të BE-së me të dyja shtetet ministri i Jashtëm grek Niko Dendias shprehu entuziazmin e tij.
“Dëshiroj të shpreh në radhë të parë kënaqësinë e qeverisë greke sepse të martën, mbahet më në fund, takimi i parë ndërqeveritar me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ky event do të zhvillohet në Bruksel pas një përpjekjeje të gjatë dhe një procesi veçanërisht të dhimbshëm.
Pala greke mbështet fuqishëm çështjet e Ballkanit Perëndimor duke propozuar ofrimin e statusit kandidat për Bosnjë-Hercegovinën”, u shpreh Dendias.
Kujtojmë se Greqia është kthyer tashmë në një mbështetëse kryesore për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për negociatat pas një historie disa vjeçare ku shteti helen bllokoi hapur plot 27 vite radhazi Maqedoninë me rrugën e integrimit duke e detyruar këtë shtet në 17 Qershor të vitit 2018 të ndryshojë emrin me nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës.
Po ashtu Greqia këmbënguli për vite me radhë që në kornizën qeveritare me Shqipërinë të përfshinte çështjen e ndarjes së detit dhe regjistrimit të popullsisë dhe pronave të minoritetit grek sidomos në zonat bregdetare.