Nga Kolonja në SHBA, shqiptari rrëfen fillimet e vështira, tregon se si u bë pjesë e Ford-it

Nevi Kaja ka arritur të ndërtojë një karrierë të suksesshme në SHBA. Ai u largua drejt tokës amerikane me familjen pasi fituan lotarinë, vijoi studimet e larta dhe doktoraturën ndërsa sot punon si pedagog në Universitetin e Michiganit. Nevi punon gjithashtu dhe te kompania prestigjioze Ford.

Ai dha një intervistë për emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, ku tregoi peripecitë që ka kaluar kur u largua drejt Amerikës. Nevi tha se i është dashur që të lajë pjata për të përballuar studimet. Ai tha se përjetoi një shok kulturor pasi shkoi në Amerikë kur vuri re vlerësimin që merrte ndryshe nga në Shqipëri.

“Në fillim laja pjata në aeroport ose shtyja karrocën e invalidëve por kjo kisha dhe ndihmën e prindërve. Përdora mundësitë e arta që na ka dhënë ky vend ku jetojmë për të avancuar edukimin tim. Por m’u dha mundësia për këto studime.

Në fillim, jam zgjedhur nga shkolla që të prezantoj një projekt deri në Kinë që në atë kohë ishte një mundësi shumë e artë. Vlerësohej çdo investim që bëja në edukim nga shkolla, për në atë kohë ishte pak shok kulturor sepse vija nga Shqipëria.

Kur isha në Ersekë, ne që vinim nga fshatrat, na vendosnin në një klasë të dedikuar për fshatra. kur kam bërë gjimnazin jam vendosur në klasën F, dhe ishte e dedikuar për një pjesë të fshatrave. Nga klasa F erdha në Amerikë që nuk njihja asnjë”, tha ai.

Më tej, Nevi tregoi dhe historinë interesante se si u bë pjesë e kompanisë “Ford”. Shkak për këtë është bërë një picë. “Kur isha në universitet, gjuha linte për të dëshiruar. Kur kam dalë nga një klasë pashë me disa shokë, një dhomë që kishte pica falas. Në fund të ditës, thashë të ketë ca të ketë vetëm të marr picën falas.

Ishte një sponsorizim nga Fordi, por merrnin dhe rezymetë dhe vlerësonin studentët. Hyra në bisedë me ta dhe më pas më morën në telefon për një intervistë. Nuk e besoja se ishte një kompani prestigjioze dhe mendoja se ishte një prank nga shokët. Thosha do të vij për një intervistë por një herë tjetër.

Më pas fillova një praktikë. Ky intership ishte intervista ime tre mujore për t’u marrë në konsideratë nëse do të isha punëtori i ford kur të mbaroja studimet. Fillova si një junior engineer dhe tani jam senior manager për departamentin e inteligjencës artificiale. Kam 5 skuadra në departamentin ku punoj”, tha ai./abcnews.al