Sopranoja e njohur Inva Mula ka folur për fillimet e saj në Paris. Në programin “Dola te Ola” ajo nëpër kujtime me anë të fotografive dhe rrëfeu frikërat me të cilat ajo është përballur kur u largua nga Shqipëria.
“Fillova të kuptoj që bota është shumë e madhe, dyert ishin të mbyllura dhe ishte shumë e paimagjinueshme që zëri im të dëgjohej”, tha sopranoja, teksa theksoi se vajtja në Paris e një të riu shqiptar që vinte nga një shoqëri e mbyllur nuk ishte e njëjtë me të atij që vinte nga një vend tjetër i botës.
“Ishin frikëra të mëdha se vija nga një rini e mbyllur. Do ballafaqohesha me artin botëror. Çdo gjë do të fillonte nga e para, edhe pse kisha një bagazh të mirë teknik dhe artistik”, u shpreh ajo.
Sopranoja rrëfeu se ajo çka e ndihmoi atë të arrinte majat e suksesit dhe ta menaxhonte atë siç duhej më pas ishte edukimi i mirë dhe puna e madhe.
“Unë bëra atë që isha dhe atë që nëna ime më kishte mësuar. Sekreti im i vetëm ishte se isha një fëmijë i mbushur me dashuri. Ti nuk ke frikë se s’do të dojë njeri nëse të kanë dashur prindërit”, tha Inva teksa tregoi se ka patur kolegë më famë të madhe që qanin para shfaqjes apo që një orë para se të hynin në skenë merrnin mjekun për t’u bërë psikoanalizë të shpejtë. Ndër të tjera diva e muzikës rrëfeu marrëdhënien që ka patur me prindërit e saj, artistët e mëdhenj Nina dhe Avni Mula.
“Fati më i madh që unë kam patur në jetë është se kam patur ata prindër”, tha Inva.
Sopranoja tha se mamaja e saj Nina Mula ka qenë shumë kërkuese me të dhe motrën e saj, “Kemi qenë shumë të disiplinuara”.
Inva tregoi se të gjitha të ardhurat që mamaja e saj fitonte shkonin për kurset e tyre pas shkollës, duke filluar nga pianoja, frëngjishtja, anglishtja, italishtja e deri te rrobaqepësia.
Ndërkohë për babanë e saj, Avni Mula, sopranoja tha se ka qenë shumë tolerant, “Babi ka qenë më pak prezent në edukimin tonë. Ka qenë gjithë kohës i angazhuar duke krijuar dhe kompozuar. Kishte autoritet si prind dhe artist”.
Inva tha se dy prindërit e saj investuan tek ajo dashurinë për artin dhe punën e madhe që duhet të bëjë një artist që në moshë të vogël.
Gjatë bisedës Inva rrëfeu momentin e vështirë kur ajo rreth moshës 15-vjeçare kishte menduar të hiqte dorë prej muzikës dhe të fokusohej në një fushë tjetër sikurse shoqet e saj.
Një moment i rëndësishëm ky, i cili falë Nina Mulës u menaxhua siç duhej, duke e këshilluar dhe bindur të bijën se ato së bashku duhet ta provonin njëherë nëse ja vlente apo jo që Inva të merrej me muzikë.
Sopranoja foli në program edhe për marrëdhënien me motrën e saj e cila për të do të ngelet gjithmonë “motra e madhe” të cilës ia dëgjon këshillat e vyera. Një moment i bukur për artisten ishte kur në studio u shfaq një videomesazh nga motra e saj, e cila kishte zgjedhur disa fjalë të bukura zemre për të.