Rusia tha të shtunën se u ka ndaluar 963 amerikanëve hyrjen në vend – përfshirë Presidentin Joe Biden, Sekretarin e Shtetit Antony Blinken, Sekretarin e Mbrojtjes Lloyd Austin dhe shefin e CIA-s, William Burns.
Moska tha se do të vazhdojë të hakmerret kundër atyre që i quajti veprime armiqësore të Shteteve të Bashkuara.
“Ne theksojmë se veprimet armiqësore të ndërmarra nga Uashingtoni, të cilat kthehen kundër vetë Shteteve të Bashkuara, do të vazhdojnë të marrin kundërshtimin e duhur”, tha Ministria e Jashtme ruse.
Ndalimet kryesisht simbolike të udhëtimit janë pjesë e përkeqësimit të vazhdueshëm në marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin që kur filloi agresioni ndaj Ukrainës më 24 shkurt, që u pasua nga sanksione drastike ndaj Moskës dhe rritja e furnizimeve me armë për Ukrainën nga Uashingtoni dhe aleatët e tij.
Ministria e Jashtme ruse tha gjithashtu se kishte shtuar 26 emra të rinj në listën e kanadezëve që i ka ndaluar të udhëtojnë në Rusi, përfshirë shefat e mbrojtjes, drejtuesit e industrisë së mbrojtjes dhe bashkëshorten e kryeministrit Justin Trudeau, Sophie Gregoire Trudeau.
Lista e re për zyrtarët kanadezë u publikua katër ditë pasi Kanadaja prezantoi një projekt-ligj që do të ndalojë Presidentin Vladimir Putin dhe rreth 1000 anëtarë të qeverisë dhe ushtrisë së tij të udhëtojnë atje.
Rusia kishte ndaluar më parë kryeministrin Trudeau, Ministren e Financave Chrystia Freeland dhe qindra kanadezë të tjerë që të hynin në vend, në përgjigje të sanksioneve kanadeze./voa