Nga Klodiana Lala
Me duart që i dridhen dhe zërin e mekur, Jetnor Runaj, largohet qetësisht nga salla e gjyqit në Gjykatën e Posaçme. Sytë i ka me lot. “Ma vranë djalin. Ma vranë duart që i ushqeva”, thotë i moshuari. Është babai i Regis Runajt, 23-vjeçarit që u masakrua me 27 goditje thike, trupi i pajetë i të cilit u gjet më 29 korrik 2020, në afërsi të varrezave të qytetit të Elbasanit. Vetëm një javë pasi ishte ekzekutuar me armë miku i tij, Emiljano Ramazani. Erjon Alibej, i cilësuar si kreu i një grupi kriminal, akuzohet nga SPAK si urdhërues i krimit makabër, ndërsa si ekzekutorë Euglen Halilaj, që mban statusin e të penduarit të drejtësisë, dhe Xhuljano Hoxha, i cili së fundmi ka vendosur të rrëfehet me shpresën për të përfituar status bashkëpunëtori.
“Dua drejtësi. Asgjë më shumë. Të më thonë përse e vranë”, thotë babai i viktimës. “Iki e vij në gjykatë dhe seancat nuk zhvillohen. Javë pas jave, jam përballë atyre, që më vranë dritën e syve”, shprehet pensionisti.
Jetnor Runaj tregon më pas orët e fundit që kaloi me të birin përpara se ai te vritej në mënyrë makabre.
“Atë ditë isha në Berat bashkë me gruan. Takuam një avokat, pasi Regisi kishte marrë një ekspuls në Zvicër. Ishte deportuar prej andej. Me sa na kishte treguar ishte përplasur me një oficer policie. Rrugës së kthimit folëm disa herë më të në telefon. Një moment ndaluam e blemë gjëra për shtëpi. Ai doli dhe na ndihmoi. I ngjiti lart. Zbriti me Eugen Halilajn”, shprehet Jetnori. U kthye? – e pyes. “Jo, ai nuk erdhi më. E gjetën të vrarë” – tregon mes ngashërimash. Si e mësuat lajmin?. “E gjurmoja djalin. Kisha frikë se mund t’i ndodhte diçka, sepse unë kam punuar si shofer në polici. E mora në telefon. Më tha: Nuk vonohem”, kujton babai i viktimës.
Dy orë më vonë, Jetnori e telefon të birin. Por, nuk ja dëgjoi me zërin. Regisi nuk iu përgjigj në asnjërin prej numrave. “U shqetësova. Mora rrugën për në polici. Ju thashë djali nuk më përgjigjet”, kujton ai.
Teksa pensionisti ishte në polici, aty mbërriti lajmi se një person ishte gjetur i vrarë.
A menduat për një moment se mund të ishte Regisi? “Po, e mendova. Por uroja të mos ishte im bir. Për fat të keq ishte ai.”
A kishit dijeni që djali juaj kishte ndonjë përplasje?
“Jo, nuk dija gjë. Ai nuk fliste me mua e gruan për këto çështje. Por nuk meritonte te vritej ashtu. Erjon Alibej ma vrau. Duhet të ma thotë përse e bëri”, shprehet burri.
Erjon Alibej sipas SPAK urdhëroi vrasjen e Emiljano Ramazanit dhe mikut të tij Regis Runaj, pasi kishte dyshime se ishin të përfshirë në ekzekutimin mafioz të vëllait të tij, Endrit Alibej, xhaxhait të tij, Arben Dylgjeri dhe një shtetasi turk në atë që njihet si masakra e Bradasheshit.
Prokuroria thotë se djali juaj u vra për hakmarrje?- e pyes. “Po nëse kishte gisht në ndonjë ngjarje, të arrestohej. Jo të ma vrisnin. Të më mbyllnin derën”, thotë Jetnori. E mandej flet për miqësinë e të birit me Emiljano Ramazanin. “Mik e kishte, por nuk di asgjë më shumë”, thotë ai.
I njeh Xhuljano Hoxhën dhe Euglen Halilaj?
“I njoh, haram e paçin bukën. Më morën në qafë djalin. Më mbyllën derën. Jetoj vetëm me gruan. Dy vajzat kanë familjet e tyre. Unë prisja që edhe Regisi të kishte një familje, por jo. E futën në dhe. Dua drejtësi. Nuk do të ndalem.”