Roja bregdetare e Greqisë ka shpëtuar 106 emigrantë të cilët ishin drejt mbytjes në detin Egje.
Lajmin e bëri të ditur vetë ky institucion, i cili tha se mes të tjerëve ishin edhe shumë fëmijë në varkën gjysmë të mbytur.
Në një deklaratë të rojës bregdetare greke u tha se emigrantët u gjetën në orët e vona të natës të së shtunës, më 7 maj, pranë ishullit juglindor të Kos, një distancë e shkurtër nga bregu turk.
Grupi i migrantëve ishte i përbërë nga kombësi të ndryshme, të cilat nuk u zbuluan, përfshinte 14 gra dhe 20 fëmijë, raporton REL.
Autoritetet greke thanë se që të gjithë personat që ishin në këtë varkë u shpëtuan duke shtuar se asnjë migrant tjetër nuk konsiderohet i zhdukur.
Greqia prej vitesh është duke u përballur me një valë migrantësh që përmes ujërave të Turqisë tentojnë te futën në territorin grek.