Ish-kryeministri Sali Berisha, gjatë konferencës për shtyp që po zhvillon momentalisht, ka reaguar në lidhje me 35 deputetët e PD-së që nuk iu bashkuan Kuvendit të 30 prillit.
Berisha u shpreh i bindur se ata do t’i bashkohen dora dorës.
“Partia erdhi më 30 prill më e bashkuar se asnjëherë, me qindra dhe mijëra anëtarë por edhe drejtues të saj që para 6 marsit, nuk ishin në një pozicion me shumicën, u bashkuan në këtë proces. Në disa degë, ish kryetarët u rikonfirmuan kryetarë. Anëtarësia masivisht u bashkua. Ka akoma disa grupe të vogla, por shumë të vogla të cilat dora dorës do bashkohen. Thirrja e bashkimit drejt votës së lirë funksionoi. Nuk ka bashkim më të ndershëm dhe demokratik sesa ky.
Funksionoi përkundër sulmeve dhe trillimeve të sajuara nga qeveria dhe propaganda e saj kundër PD-së. Asnjë deputet nuk mund të mbajë peng zyrën e PD-së. Unë kam besim se në tërësi deputetët e PD-së do i bashkohen shumicës. Nuk mund të them se çdonjëri prej tyre por në tërësi shpreh bindjen më të madhe se pas Kuvendit edhe shumica dërrmuese e tyre tdo t’i bashkohen PD-së.
Ata që pretendojnë po pse nuk u shty kuvendi, ju them sepse nuk pranonte shumica që ta shtynim. Edhe pakica nuk pranoi sepse u bashkuan në proces dhe votuan”, tha Berisha./albeu.com