SHBA e shpalli “non grata”, flet Aqif Rakipi: Ma bëri Lul Basha

Dy ditë më parë Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës shpalli sanksione ndaj ish-deputetit Aqif Rakipi, aleat i shumicës socialiste, si dhe pronarit të televizionit Ora News, Ylli Ndroqi për përfshirje në krim të organizuar dhe korrupsion.

Rakipi përshkruhet si një ish-deputet famëkeq nga Elbasani, i cili ka ndikim të dëmshëm dhe destabilizues në proceset politike në Shqipëri. “Rakipi ka qenë prej kohësh i përfshirë në krimin e organizuar” thuhet në njoftim, ku shtohet se ish-deputeti ka ushtruar ndikim të paligjshëm për të emëruar zyrtarë publikë në Elbasan dhe në Tiranë.

Por cili është komenti dhe rruga që do të ndjekë ai tani? “5pyetjet.al” e kontaktoi zotin Rakipi, i cili u shpreh se e keqja për sanksionet i ka ardhur nga Lulzim Basha, denoncimet dhe akuzat e të cilit kanë qenë të shumta në vitet e fundit.

Intervista e plotë me Aqif Rakipin

A keni një koment për sanksionet e SHBA-së?

Rakipi: Nuk kam asnjë koment. As kam lidhje me atë pjesë fare.

A do ta ndiqni në hapa ligjorë?

Rakipi: Do ta shoh. Nuk kam asnjë lloj gjëje nga ata që thuhen. Të shohin a kam llogari bankare në Amerikë, a bëj biznes. Nuk kam biznes këtu dhe jo më andej.

SHBA ju cilëson si “ish-deputet famëkeq”, a do të kërkoni prova, ku bazohet?

Rakipi: Do i shoh.

Nuk do të nisni një proces gjyqësor?

Rakipi: Do të shikoj cfarë do të bëj. Do të interesohem.

A mendoni se është politike?

Rakipi: Po.

Po kë fajësoni?

Rakipi: Lul Basha e ka merakun.

Mendoni se është goditje nga Basha?

Rakipi: As që bëhet llaf.

Aqif Rakipi e humbi mandatin e deputetit në vitin 2018 si pasojë e ligjit të dekriminalizimit. Por në zgjedhjet e fundit parlamentare të zhvilluara më 25 prill 2021, djali i tij, Ornaldo Rakipi u zgjodh me një numër surprizë votash deputet i Partisë Socialiste në Tiranë./5pyetjet.al