Në aeroportin ndërkombëtar të Kukësit është ulur dje avioni i parë me pasagjerë nga Londra. Aeroporti ndërkombëtar i Kukësit është aeroporti i dytë civil në Shqipëri dhe ndodhet 3.5 kilometra në dalje të qytetit të Kukësi.
Është një investim i dy kompanive shqiptare, që në total kap shifrën e mbi 22 milionë eurove. Punimet e këtij aeroporti nisën në prill të 2019.
Një lidhje Skype për “Wake Up”, drejtori i Aeroportit ndërkombëtar të Kukësit, Altin Progonati bëri të ditur se aeroporti i Kukësit do ketë çmimet më të ulëta në rajon.
Flet drejtori i aeroportit të Kukësit:
“Është një pistë që mund të presë deri në 80-90 tonë kategori avionësh, por gjerësia e saj dhe kategoria 3c e kushtëzojnë deri në avionët 73.5 që mund të presë kjo pistë. Këta lloj avionësh janë Boeing dhe Airbus. Mund të parkohen 3 avionë njëkohësisht dhe mund të ngrihen 4 avionë brenda një ore.
Kapaciteti maksimal është deri në 500 mijë pasagjerë në vit. Gjatë ditës, duke llogaritet edhe orët e operimit, aeroporti mund të përpunojë deri në 6 mijë pasagjerë.
Në datën 20 maj aeroporti do jetë efektiv për të fluturuar. Kështu që pas 20 majit presim të fillojmë fluturimet dhe pastaj të çajmë dhe qiejt e Europës.
Aeroporti i Kukësit është menduar si ‘low cost’ dhe projeksione tona për çmimet janë ndër më të ulëta në rajon. Kemi çmimet më të ulëta të tregut. Edhe kompanive u kemi kërkuar që të jenë low cost me çmime”, u shpreh ai./tch