E BUJSHME/ Partizani tenton Tomas Brdaric për stolin

Në verë pankinat e Kategorisë Superiore pritet të kenë ndryshime e rokada. Tomas Brdariç e la Vllazninë pa e mbyllur sezonin dhe për momentin është pa një klub, por ka mjaft mundësi që kroatogjermani të qëndrojë në vendin tonë në sezonin e ardhshëm.

“Panorama Sport” shkruan se ai është një opsion për stolin e Partizanit pas fundit të këtij sezoni. Para disa ditësh, pra pa u shkarkuar nga Vllaznia, 47-vjeçari është parë i shoqëruar nga drejtues të “demave” në një nga kafenetë e Tiranës.

Megjithëse ky takim mund të ketë qenë rastësor apo shoqëror, i shton shumë shanset e një bashkimi të Brdariç me të kuqtë në verë. Drejtuesit po shikojnë disa opsione për stolin dhe kroatogjermani është një kandidat potencial.

Pa dyshim, Brdariç bën pjesë në pakicën e trajnerëve të huaj, që kanë mundur të ambientohen dhe të korrin sukses në Kategorinë Superiore dhe tashmë ai është në listën e disa klubeve duke i bërë konkurrencë edhe trajnerëve të tjerë shqiptarë, të afirmuar prej vitesh.


Shtuar 16.03.2022 10:18