Përfaqësuesi i presidencës trepalëshe të Bosnjës, Zhelko Komshiq, u dërgoi një letër zyrtarëve më të lartë të Komisionit Evropian, për t’iu kërkuar që “të shqyrtojnë mundësinë e dhënies së statusit të vendit kandidat Bosnje-Hercegovinës”.
Letra, në adresë të presidentit të Këshillit të BE-së, Charles Michel, presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shefit të Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell dhe Komisionarit të BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, i referohet fillimisht pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
“Tani më shumë se kurrë,nevojitet një unitet evropian dhe një sinjal i qartë se Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës, ndërsa vendet që e përbëjnë atë do të jenë anëtare të padiskutueshme të BE-së në të ardhmen”, shkroi Komshiq në letër.
Ai shtoi se vizioni i Bosnjës në BE bazohet në Strategjinë e Politikës së Jashtme të këtij vendi.
Komshiq po ashtu kujtoi se Komisioni Evropian ka paracaktuar 14 kushte që do ta përafronin Bosnjën me bllokun evropian.
“Një pjesë e kushteve kyçe është plotësuar, ndërsa për fat të keq një pjesë nuk është, por nëse marrim parasysh se dhënia e statusit të vendit kandidat për Bosnjën do të krijonte një mjedis të ri dhe do të jepte një tjetër konfirmim të pandashmërisë dhe sovranitetit të vendit tim, atëherë sigurisht se do të kishte disa efekte pozitive në sigurinë dhe stabilitetin e Bosnjës, por edhe të rajonit të përgjithshëm të Ballkanit Perëndimor”, tha Komshiq.
Kushtet që duhet t’i plotësojë Bosnja kanë të bëjnë kryesisht me funksionimin e institucioneve dhe sundimin e ligjit.
Bosnja ka të nënshkruar vetëm Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në, që është hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok.
Pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka shprehur shqetësimin se kriza e shkaktuar nga ky konflikt, mund të përhapet edhe në Ballkanin Perëndimor.
Paraprakisht, Borrell ka thënë se situata në Bosnje “është më shqetësuese” se kurrë.
Përpjekje për ndarjen e këtij vendi ka bërë lideri i serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, i cili është edhe anëtar i presidencës trepalëshe.
Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.
Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës./REL