Holanda i jep “një dorë” Ukrainës, e furnizon me 200 raketa kundërajrore

Disa prej vendeve europiane po dërgojnë ndihmat e tyre modeste në Ukrainë, me qëllim që vendi t’i mbijetojë sulmit rus.

Këtë herë ka qenë Holanda që ka dërguar 200 raketa kundërajrore “Stinger” në Ukrainë.

Pritet që këto mjete ushtarake të mbërrijnë në Ukrainë sa më shpejt që të jetë e mundur, pasi rruga për në Kiev mund të ketë problematikat e veta.

Kështu i kanë shkruar Dhomës së Përfaqësuesve, Ministrat e Punëve të Jashtme Hoekstra dhe Ollongren i Mbrojtjes.

“Për këtë kërkesë është bërë një rishikim i kujdesshëm ndaj kritereve të eksportit të armëve, por i shkurtuar në funksion të rrethanave të jashtëzakonshme”, thuhet në letër.

Stinger është një raketë tokë-ajër (e lëvizshme) e drejtuar me infra të kuqe, sipas faqes së internetit të Ministrisë së Mbrojtjes.

Ato janë 1.5 metra të gjatë dhe peshojnë më shumë se 16 kilogramë. Me një shpejtësi prej 2 mijë e 400 kilometrash në orë, ato mund të përdoren në objektiva në një rreze prej 0,5 deri në 5 kilometra.

Më herët, kabineti ra dakord të dërgonte mallra ushtarake në vend.

“Mallrat e tjera do të dërgohen sa më shpejt që të jetë e mundur, por Holanda, si vendet e tjera, po lufton me sfidat logjistike”, përmbyllet raporti.


Shtuar 26.02.2022 10:24