Escobar: Ia kemi bërë të qartë Kosovës se për njohje reciproke me Serbinë, duhet të bëjë kompromise

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se Uashingtoni ia kanë bërë të qartë Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti, se për të arritur deri te njohja reciproke me Serbinë, Prishtina duhet të bëjë kompromise.

Escobar u paraqit të mërkurën para nënkomitetin për Punë të Jashtme të Senatit amerikan, ku foli për angazhimin dhe strategjinë e Uashingtonit në Ballkanin Perëndimor.

Duke folur për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, Escobar tha se ky proces nuk është për statusin e Kosovës, por për njohjen e ndërsjellë.

“Ne kemi qenë shumë të qartë me Qeverinë e Kosovës se ne presim që ata të angazhohen plotësisht në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe t’i shohin ato si negociata të vërteta për të arritur qëllimin kryesor të tyre që është njohja e ndërsjellë me Serbinë, njohja nga pesë shtetet e BE-së, dhe anëtarësimi në të gjitha organizatat ndërkombëtare që ata duan të anëtarësohen. Kjo do të kërkojë kompromis dhe ne kemi qenë shumë të qartë. Ambasadori ynë i ri, Jeffery Hovenier e ka bërë këtë shumë të qartë gjatë takimeve të tij të para me Qeverinë Kurti dhe ai do të vazhdojë ta bëjë këtë dhe ne do të vazhdojmë që ta mbështesim atë”, tha Escobar.

Së fundmi, Escobar, së bashku me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, kanë vizituar Kosovën dhe Serbinë dhe u kanë bërë thirrje palëve që të rikthehen në bisedime, pasi që nga korriku i vitit të kaluar, në Bruksel nuk është mbajtur asnjë takim i nivelit të lartë.

Escobar dhe Lajçak po ashtu kanë kërkuar që të jetësohet marrëveshja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

I pyetur nga senatorët amerikanë nëse Asociacioni do ta destabilizonte Kosovën, Escobar tha se mendon që kjo gjë nuk do të ndodhë.

“Ne e mbështesim krijimin e Asociacionit për shumë arsye. E para është se për të palët veçse janë pajtuar. Edhe pse Gjykata Kushtetuese ka thënë se disa pjesë nuk kanë qenë në përputhje me Kushtetutën, nuk ka thënë se vetë Asociacioni është jokushtetues. Në kontekstin e dialogut, është në dorën e Kosovës dhe Serbisë që të vendosin se si do të dukej. Nuk duhet të jetë, dhe sigurisht ne nuk duam që të jetë i ngjashëm me Republika Sërpskan, por ne i kemi bërë thirrje, dhe homologu im Lajçak i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës të shikojë modelet që ata besojnë se mund të jenë të përshtatshme që nuk do të minojnë sovranitetin dhe funksionalitetin e tyre”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se është kundër krijimit të një asociacioni njëetik, ndërkaq Serbia insiston që ky asociacion të ketë kompetenca ekzekutive.

Escobar, që njëherësh është edhe zëvendësndihmës sekretar amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, tha se në Ballkanin Perëndimor ka ndikim malinj rus dhe kinez.

Rusia, sipas tij, nuk ka shumë ndikim në aspektin e investimeve ekonomike, por në fushën e energjisë, ndërkaq, ndikimi kinez sipas tij bëhet përmes projekteve infrastrukturore dhe borxheve për projekte të ndryshme. Megjithatë, ai shtoi se Uashingtoni ka strategji për ta luftuar ndikimin rus dhe kinez në Ballkan.

Duke folur për Bosnje e Hercegovinën, Escobar tha se problemi kryesor që po ndikon në jofunksionalitetin e këtij shteti është korrupsioni në nivel të lartë, që sipas tij, po bën që nga ky shtet të ikin të rinjtë dhe të bllokohet procesi integrues i Sarajevës zyrtare. /REL


Shtuar 16.02.2022 18:37

Tags: