45 trafikantë, kryesisht shqiptarë kanë rënë në prangat e policive të shtatë vendeve të ndryshme europiane, në një operacion të organizuar nga EUROPOL dhe policitë përkatëse të vendeve të ndryshme.
Ata folën për një organizatë kriminale shqiptare që “përmbyti Europën me kokainë”.
Aksioni më i madh u bë në ishullin spanjoll, Mallorca ku aktiviteti ishte shtrirë edhe në shitjen e veprave të artit.
Sipas informacioneve policia ka konfiskuar 7 automjete të nivelit të lartë, një jaht, deri në 86 vepra arti -piktura vaji- me një vlerë më e madhe se 5 milionë euro, pajisje të shumta elektronike, 203,000 euro para në dorë, 40,000 euro në kriptovaluta dhe 16 orë luksoze.
Hetuesit vlerësojnë se vlera e “pastrimit të parave” vetëm në Majorka kalon 30 milionë euro në investime në pasuri të paluajtshme.
Sipas hetimeve, të arrestuarit importonin kokainë nga Amerika e Jugut, e futnin në portet evropiane dhe organizonin transportin e saj të mëpasshëm me avionë, varka, kamionë dhe makina.
Konkretisht, kjo organizatë kishte një “strukturë komplekse korporative” me qendër në Majorka që pastronte fitime të paligjshme.
Gjithashtu në Gjermani dhe Kroaci kishte struktura të ngjashme që përdornin figura për pastrimin e parave. Anëtarët e kësaj bande udhëtonin shpesh në Dubai, Meksikë dhe Kolumbi për të organizuar biznesin e tyre dhe përdornin mjete komunikimi të koduara për të koordinuar aktivitetet e tyre./albeu.com/