Ekspertët e sigurisë: Mos i besoni Rusisë për tërheqjen e trupave! Tjetër thonë tjetër bëjnë

Ekspertët e sigurisë në Perëndim thonë se kanë nevojë për më shumë informacion për të gjykuar nëse rusët vërtetë janë duke u larguar nga kufiri me Ukrainën.

Henry Boyd i Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike në Londër i tha agjencisë së lajmeve Reuters se duhet të tregohemi skeptik dhe të kujdesshëm ndaj veprimeve të Rusisë pasi edhe më herët ka patur një mospërputhje mes njoftimeve zyrtare të saj dhe veprimeve në terren.

Rob Lee, një analist ushtarak i specializuar për çështjet e Rusisë, thotë për Reuters se njoftimi ishte “potencialisht një lajm i mirë”, por ishte e rëndësishme të shihej se ku shkuan ato forca pas stërvitjeve të përbashkëta midis Rusisë dhe Bjellorusisë.

“Për sa kohë ata mbetën pranë kufirit Rusia do të ketë kapacitetin për të kryer një përshkallëzim”, tha ai.

Konrad Muzyka, i tha Reutersit se do të duheshin disa ditë për të verifikuar lëvizjet e fundit nëpërmjet imazheve satelitore.

“Duhet të theksohet gjithashtu se trenat me pajisje nga Rusia qendrore vazhdojnë të mbërrijnë pranë kufirit dhe se forcat ruse vazhdojnë të lëvizin drejt zonave pranë kufirit me Ukrainën. Ka një mospërputhje mes asaj që thuhet dhe veprimeve të Rusisë gjatë ditëve të fundit”, tha ai.

Rusia njoftoi mëngjesin e sotëm se do ka tërhequr një pjesë të forcave të ushtrisë nga kufiri me Ukrainën, megjithatë perëndimi është skeptik ndaj këtij zhvillimi.

Fillimisht reagoi ministrja e Jashtme e Britanisë së Madhe, Liz Truss tha se do ta bësonin se Rusia nuk ka qëllime pushtimi ndaj Ukrainës pasi të gjitha trupat të ishin tërhequr prej kufirit.

“Rusët kanë pohuar se nuk kanë plane për një pushtim të Ukrainës, por ne do të duhet të shohim një largim të plotë të trupave për të treguar se kjo është e vërtetë”, tha ajo për radion LBC këtë mëngjes.

Kur u pyet në lidhje me raportet e mediave se disa trupa ruse po ktheheshin në baza nga zona kufitare, Truss tha se duhej të shihte më shumë detaje për të kuptuar dimensionin e vërtetë të këtij veprimi.

Një reagim të ngjashëm patën e ukrainasit, të cilët nuk e besojnë një gjë të tillë. Ministri i Mbrojtjes së Ukrainës tha se do ta besonin diçka të tillë pasi të shikonin provat.

“Ne kemi një rregull: mos besoni atë që dëgjoni, besoni atë që shihni,” u tha ai gazetarëve pas raporteve që disa trupa ruse po tërhiqeshin. “Kur të shohim një tërheqje, ne do të besojmë te ulja e tensioneve.”

Ndërkohë që të gjithë janë skeptikë ndaj veprimit të rusëve, kryeministri britanik Boris Johson shkoi edhe më tej duke kërcënuar me sanksione të forta Rusinë nëse çon ndërmend të pushtojë Ukrainën.

Deklarata e Johson bëhet vetëm pak orë pas Rusia njoftoi tërheqjen e trupave dhe duket të jetë mesazhi më i fortë i Perëndimit deri më tani, ndërkohë që SHBA-të nuk kanë reaguar ende.

Ndërkohë që ndodh kjo, Duma ruse i dërgoi Putinit një kërkesë për të njohur si Republika të pavarura dy rajonet separatiste të Donbasit dhe Luhanskut.

Nëse Putin miraton diçka të tillë, duke aneksuar edhe një pjesë tjetër të territorit të Ukrainës krahas Krimesë, atehere kjo do të përkthehej në një përshkallëzim tjetër të situatës në rajon. /abcnews.al