Në vijim të operacionit policor të koduar “Perimetri”, për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, bënë ndalimin e shtetasit në kërkim S. T., 21 vjeç, banues në fshatin Bulgarec, Korçë.
Shtetasi i mësipërm rezultonte i shpallur në kërkim për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 21.11.2021, ku në dalje të qytetit të Pogradecit, u kap mjeti kamion tip “Iveco”, brenda të cilit u konstatuan 57 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit prej 1000 euro secilit, shtetasi S. T., në bashkëpunim me persona të tjerë (dy prej të cilëve u arrestuan në flagrancë nga policia dhe një tjetër u shpall në kërkim), ju kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.