Pasi u prezantua nga Sali Berisha, kandidati i Shtëpisë së Lirisë në Dibër ka marrë edhe mbështetjen e Kryemadhit. Kryetarja e LSI ka deklaruar se e përshëndet propozimin e tij për debat publik me rivalët e tij në këtë bashki në zgjedhjet e 6 marsit. Kujtojmë se në prezantimin e tij zyrtar, Premtim Kryemadhi zbuloi se kishte lidhje farefisnore me Monika Kryemadhin.
Statusi i Monika Kryemadhit
Për të mirën e Dibrës, zgjidhni alternativën më të mirë!
E përshëndes propozimin e z. Premtim Kryemadhi, kandidat i Shtëpisë së Lirisë për bashkinë Dibër, i cili krahas paraqitjes së një platforme për drejtimin e bashkisë, ka ftuar në debat publik kandidatët e tjerë që garojnë në zgjedhjet e 6 Marsit. Ky është një standard demokratik që i ka munguar prej vitesh kulturës së zgjedhjeve në Shqipëri. Ku garat elektorale më së shumti kanë shërbyer si një moment përbaltje, se sa përballje ofertash politike.
Presioni i administratës publike dhe paraja në zgjedhje, janë faktorë që krahas fitores së kandidatit që mbështetet nga këto fenomene, sjell edhe shkatërrimin e qytetit, monopolizimin e ekonomisë, rritjen e taksave që më pas shkojnë në koncesione dhe investime për të pasuruar ata që i hodhën paratë për të blerë vota.
6 Marsi është shans i ri për t’u shkëputur nga të tilla fenomene, që dosjet 184 dhe 339 vërtetuan se kishin ndodhur në Dibër dhe gjerësisht në Shqipëri. Dibra dhe dibranët meritojnë transparencë! Zgjidhni më të mirin e Dibrës në 6 Mars!